‘Kam frikë, im bir do më vrasë’, thirrja rrëqethëse e nënës nga Saranda

Kam frikë nga im bir, ai do të më vrasë. Është hera e dytë që thyen urdhrin e mbrojtjes që ka lëshuar gjykata ndaj meje, ndërsa më ka rrahur barbarisht. Më kërkon para që të blejë drogë, pasi ka disa vite që konsumon heroinë. Ai nuk ka lënë orendi shtëpiake pa shitur. Nuk di se çfarë të bëj me të. Më ndihmoni!”.

Kështu ka deklaruar dje në polici Eleni Qendro, banuese në lagjen nr.3 të qytetit të Sarandës. E moshuara ka pohuar se ajo është dhunuar sistematikisht nga djali, por fillimisht ka pasur turp që ta denonconte atë. Menjëherë pas kallëzimit, policia e qytetit bregdetar ka arrestuar 29-vjeçarin Enea Qendro, i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij, duke thyer edhe urdhrin e mbrojtës që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë kishte vendosur për Eleni Qendron.

Mësohet se i riu akuzohet për veprat penale: “Dhuna në Familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Ndërkohë, burime zyrtare nga policia lokale bënë me dije se 29-vjeçari është person me precedent penal. Sipas bluve, më 19 korrik të vitit që shkoi, Enea Qendro u dënua me 1 vit burg se dhunoi nënën dhe theu urdhrin e mbrojtjes. Ndërsa, më 16.02.2015, ai është dënuar me 140.000 lekë të reja gjobë për plagosjen me thikë të shoku të tij, të cilit më parë i kishte djegur motorin.

DEKLARATA E NËNËS

Pas arrestimit të 29-vjeçarit Enea Qendro, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë edhe dëshminë e nënës së tij, dhënë një vit më parë në policinë e Sarandës. Në kallëzimin penal, Eleni Qëndro ka pohuar se para 3 vitesh, djali i saj Enea ka qenë në ishullin e Korfuzit për të punuar. Por, atje ka filluar të përdorë heroinë.

Më pas është kthyer në Shqipëri dhe ka filluar të ushtrojë dhunë sistematike psikologjike dhe fizike ndaj saj, ka shkatërruar banesën, si dhe ka shitur orenditë shtëpiake. Ajo nuk e ka denoncuar më parë nga turpi, edhe pse është konfliktuar me bashkëshortin e saj, pasi Enea Qendro i vidhte lekët nga shtëpia me qëllim që të blinte lëndë narkotike. Në datën 20.06.2016 i riu ka shkuar në banesë dhe i ka marrë lekë me forcë për të blerë drogë, si dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Pasi ai është larguar, ajo është paraqitur në polici dhe ka kërkuar urdhër mbrojtje.

Në datë 21.06.2016 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, i vlefshëm deri në datën 09.08.2016, duke urdhëruar ndër të tjera që Enea Qendro të mos ushtrojë dhunë ndaj nënës së tij, si dhe të mos i afrohet banesës në një distancë 100 m. Por, në datë 27.06.2016, Enea Qendro ka shkuar përsëri në banesë pasi kishte disa ditë që ishte larguar dhe ajo nuk e dinte se ku ndodhej. Sapo ka hyrë në banesë, ai ka filluar të bërtasë dhe ta kapte prej flokësh.

Dhe i kërkonte lekë për të blerë heroinën. Kur ajo i ka thënë se nuk kishte lekë që t’i jepte, i riu i ka thënë shko kërko ku të duash se unë do të vras. Ajo është shtirur se do të gjente lekët dhe ka njoftuar menjëherë policinë, e cila e shoqëroi dhunuesin në ambientet e komisariatit. Sa më sipër, Eleni Qendro i ka deklaruar edhe kur është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale.

Në vijim është pyetur edhe bashkëshorti i saj, Naim Qendro, i cili ka deklaruar si vijon: “Para disa ditësh gruaja ime Eleni dhe unë njëkohësisht kemi denoncuar në polici dhe është bërë gjykimi në gjykatën e rrethit, ku bashkëshortja mori urdhër mbrojtjeje, pasi djali im, Enea Qëndro, i dtl., 1988, ushtonte dhunë të vazhdueshme ndaj saj. Po kështu, Enea është përdorues i drogës prej tre vjetësh.

Dua të theksoj se Enea nuk na ka lënë gjë në shtëpi pa shitur. Gjithashtu, është shumë i dhunshëm ndaj nënës, Elenit, pasi i kërkon në vazhdimësi lekë. Në datë 27.06.2016, rreth orës 18:30, Enea erdhi në shtëpi dhe me t’u futur brenda, filloj t’i bënte presion Elenit dhe e qëlloi, pasi i kërkonte lekë. Në këto kushte rreth orës 20:00 morëm në telefon sallën operative dhe i treguam ngjarjen. Por aty erdhi patrulla e policisë dhe e shoqëruan në komisariat”