“Ka ligj, por ka dhe Maliq”/ E çon shoferin në komision për perdet e errëta në makinë, polici harron një detaj të rëndësishëm

Makinat me xhama të zinj po qarkullojnë gjithnjë e më shumë në rrugët tona. Nga ana tjetër, me rritjen e temperaturave, në këtë sezon të nxehtë, të shumtë janë dhe shoferët që kanë vendosur në makinat e tyre perdet e xhamave.

Mirëpo, a është e lejuar vendosja e xhamave apo perdeve të errëta në makinë?

Sipas kodit rrugor, shoferët që i vendosin vetë xhamat e errët apo perdet e modifikuara, penalizohen. Po ky kod thekson se makinat, të cilat xhamat apo perdet e errëta i kanë të fabrikuara, atëherë nuk merren masa ndëshkuese.

Lidhur me këtë, një numër i madh shoferësh, po penalizohen pasi qarkullojnë me makina me xhama të errët. Edhe pse ligji, parashikon gjoba vetëm për rastet kur xhamat e zinj janë të modifikuar, në fakt policët rrugorë, përdorin të njëjtin standard edhe për ato të prodhuara nga fabrikat.

Në këtë mënyrë, janë policët ata që shkelin kodin rrugor nëse nuk kontrollojnë dekumentacionin e makinës.

Një denoncim i tillë vjen nga një qytetar në adresë të JOQ.al, i cili është penalizuar, pasi polici rrugor nuk do t`ja dijë nëse i ka perdet e errëta të fabrikuara apo jo.