Jo zgjedhje, po institucione

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, nuk parasheh që Kosova të futet në një proces të jashtëzakonshëm zgjedhor, pavarësisht situatës së krijuar pas seancës konstituive të 17 korrikut.

Në një prononcim për Politiko.net, ai ka thënë se pret krijimin e institucioneve të reja në bazë të Kushtetutës dhe votës së lirë të qytetarëve.

“Nuk parashohim asnjë precedent të tillë. Parashohim zhvillim të institucioneve të Kosovës në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës me votën e lirë të qytetarëve. Ata që e duan kaosin dhe tentojnë të krijojnë anarki në Kosovë, duke e destabilizuar sistemin politik të Kosovës, mund ta çojnë në drejtim të tillë”, thotë ai.

Sipas tij, ka shumë vende ku partia e dytë, e tretë, kanë themeluar Qeverinë e tyre nëse kanë mundur të arrijnë votat.
“Prandaj, e njëjta gjë është në Kosovë. Merrni shembuj në botë dhe do ta shihni që demokracia zhvillohet atëherë që kur i jepet mundësia që vota shumicë të vendosë”.

Ahmet Isufi, i cili nuk ka arritur të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për ta fituar edhe një mandat si deputet, konsideron se Kosova nuk është në ngërç politik, pasi tanimë veç është zgjedhur Kryetari i Kuvendit.
“Duhet të bëhen zhvillimet e duhura sa më shpejt nga Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që të hapet rruga për krijimin e institucioneve të reja”, ka deklaruar Ahmet Isufi. /Politiko.net/