Java e shenjtë e Casillas, nga Kupa te Bayerni

0

Nga finalja e Kupës së Mbretit në takimin e madh me Bayernin e Mynihut, është kjo java e shenjtë për Iker Casillas. Pas pushtimit të titullit të parë në një finale përballë Barcelonës, Iker rikthehet edhe më i konfirmuar në kompeticionin tjetër, pikërisht në Champions League.

Nga klasikja në klasike, ishte Barça, ndërsa tani është radha e Bayernit. Dy ndeshje radhazi portieri i Realit nuk i luante që prej fillimit të Dhjetorit të kaluar me të njëjtën axhendë si tani, brenda pak ditësh u aktivizua në eliminatoret e Kupës së Mbretit e më pas në Champions kundër kundër Kopenhagenit. Njëri mision rezulton i përmbushur me sukses për Casillas.

Në Mestalla mori në duar Kupën e Mbretit dhe objektivi i momentit është titulli aq shumë i dëshiruar nga një botë e tërë madrilene, është La Decima në kompeticionin më të madh për klubet europiane dhe për t’ia dalë duhet të mbërrijë në finalen e Lisbonës që luhet më 24 Maj. 9 ndeshje në Kupë, ndërsa 13 bëhen në Champions, nuk mund të kishte më mirë për Casillas, i cili në fillim të sezonit rrezikonte qëndrimin në stol deri në momentin që Ancelotti vendosi të zbatonte formulën e ndarjes së portierëve, njëri në kampionat dhe tjetri në kompeticionet e tjera.

Tashmë një rivalitet i madh e pret përpara. Që prej vitit 2000, Casillas ka qënë dëshmitar okular i dueleve mes dy gjigantëve të kontinentit, në 14 vjet janë përballur plot 14 herë në një histori që ka përmbajtur lot gëzimi e lot trishtimi. Dueli i parë i 32-vjeçarit me Bayernin ka qënë në vitin e tij debutues me Realin. Ishte sezoni 1999-2000, kur Los Blancos janë ndeshur 4 herë me gjermanët, në fazën e grupeve dhe më pas në gjysmëfinale, ndërsa hera e fundit ishte 2 vjet më parë, kur Bayerni kaloi Realin në gjysmëfinale, por u mund më vonë nga Chelsea në finale.