‘Januzaj bëri zgjedhjen e duhur’

loading...

loading...
Vendimi i Adnan Januzajt është i drejtë. Kështu është shprehur për “Expres” trajneri i Përfaqësueses së Kosovës Albert Bunjaku. Madje, numri një i stolit kosovar deklaroi se ky vendim i talentit të Manchester United i bën mirë Kosovës, pasi kjo e fundit tani është opsioni i vetëm i mbetur i kosovarit, pas Belgjikës.

Ndonëse po kritikohet pse nuk zgjodhi të paraqitej me Shqipërinë ose Kosovën Albert Bunjaku ka uruar Adnan Januzajn për vendimin e tij.

“Unë mund të flas vetëm në aspektin sportive dhe mendoj është vendim i pritur i tij. Ndoshta është vendimi më i mirë, kur merret parasysh se bëhet fjalë për një 18-vjeçar që është në një shpërthim të karrierës së tij në një klub mjaft të mirë”, u shpreh Bunjaku.

Përzgjedhësi kosovar theksoi se me vendimin e sotëm, Januzaj u ka mbyllur derën të gjitha kombëtareve tjera të interesuara për të, duke lënë të hapur vetëm derën për Kosovën, pas pranimit në FIFA e UEFA.

“Deri në këtë moment, kanë qenë 7-8 kombëtare që kanë qenë pas tij, duke i dhënë një zgjidhje të vështirë. Tani është vetëm një kombëtare, Belgjika, dhe në momentin e pranimit të Kosovës do të jenë dy shtete që ai mund të zgjedh. Nga shtatë shtete tani kemi vetëm dy”, tha përzgjedhësi kosovar.

“Rasti i Kosovës është pak më unik, pasi ne nuk e kemi përngut si të tjerët, ngase zgjedhja që e bën atë për Belgjikën e heq prej sistemi të gjitha vendet tjera të interesuara. Në anën tjetër, pas pranimit të Kosovës, Adnani e ka mundësinë për të zgjedhur edhe njëherë”, është shprehur tekiniku i Kosovës.

Përzgjedhësi Bunjaku deklaroi se fakti se Januzaj do të luajë në Kupën e Botës në Brazil do të thotë shumë për reputacionin dhe përvojën që mund ta fitojë atje.

“Pjesëmarrja e tij në Kampionat Botëror me një skuadër shumë të mirë dhe që besoj se do të jetë befasia e Botërorit, ia ngrit atij vlerën, si nga aspekti sportiv, ashtu edhe për nga përvoja. Kjo është një zgjedhje e mirë e tij”, përfundoi Bunjaku. /LajmeOnline/

loading...