Jam rritur me kafshë jo me njerëz

Shumë nga ju mund të çuditen se përse shprehem kështu, por fjala “kafshë” është e duhura në rastin tim. Unë jam një nuse e martuar paksa vonë, tridhjetë vjeçe. Them vonë pasi në fshat vajzat martohen të vogla, por me mua ndodhi ndryshe. Me të mbaruar tetë vjeçaren, prindërit më mbyllën në shtëpi, nuk më lejonin të shkoja në shkollë e si pasojë e kësaj mbylljeje unë isha e destinuar të bëja punët e shtëpisë, të gatuaja e të rrisja vëllezërit më të vegjël. E kisha të pamundur të merresha me këto që po më urdhëronin. Si mund të bëja unë këto kur unë isha vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe dhe doja kujdes edhe vetë?

Ja që kështu rrodhën ditët e mia derisa mbusha njëzetë e pesë vjeçe. Çdo ditë e imja ishte e njëjtë; zgjohesha në gjashtë të mëngjesit, dilja me bagëtinë në shi e në diell dhe merresha me fëmijët që bënin prindërit e mi, a thua se ishin fabrikë prodhimi. U shndërrova në dadon e tetë fëmijëve të tjerë që lindën pas meje. Unë isha më e madhja dhe më fatkeqja në familje. Ndihesha shumë keq pasi shihja që moshatarët e mi shkonin në shkollë, kurse unë shkoja me bagëtinë. Shoqet dilnin dhe vazhduan shkollën, unë prisja fëmijën e radhës që do të bënin mami dhe babi. Kjo ishte ajo që shoqëronte netët dhe ditët e mia. Kur mbusha njëzet e pesë vjeçe u thashë prindërve të ma festonin ditëlindjen dhe ata ashtu bënë. U mblodhën kushërinj e kushërira, por unë e kisha të vështirë të rrija me njerëz kur isha mësuar të rrija me kafshë. E kisha të vështirë shumë. Isha mësuar vetëm dhe të gjithë ata njerëz po më nervozonin. Kishte shumë. Unë rrija e vetmuar edhe përse ishte dita ime. Bëja njëzet e pesë vjeçe dhe gjoja të gjithë ishin mbledhur për mua, por unë nuk dija të rrija pranë aq shumë njerëzve. Të gjithë më uruan, të gjithë më kishin sjellë dhurata. Shumë nga ata nuk i njihja. Prindërit po m’i prezantonin dhe unë ende sot nuk ua mbaj mend emrat se si i kishin. Në këtë ditëlindje unë u njoha me bashkëshortin tim. Ai ishte një djalë i panjohur për mua, si gjithë të tjerët. Po më shihte dhe nuk e kuptoja se çfarë kishte. Mendoja mos ishim kushërinj e nuk njiheshim, por nuk qe kështu. Ai kishte ardhur te disa kushërinj të tij për pushime dhe meqë ne i kishim ftuar, edhe ai kish ardhur tek unë për vizitë.

U takova me djalin kur po iknin pasi kishin ngrënë darkë dhe kaq qe biseda ime e heshtur me të. Nuk kisha kaluar ndonjë datëlindje kushedi se çfarë. Datëlindja ime ishte e mbushur me pleq dhe plaka, vetëm ky ishte djalë i ri.

Të nesërmen mua nuk më lanë të bëja jetën e zakonshme, nuk dola më me bagëtinë, por më thanë se duhet të rrija në shtëpi. Mami më tha të vishja në fustan të mirë, domethënë të ri, atë që më kishin qepur mami dhe gjyshja. Nuk po e kuptoja se përse, po thashë shyqyr nuk do dal më të piqem në diell. Uroja që kështu të ishte gjithmonë. Papritur ra dera dhe në dhomën e ndenjjes erdhi ai djali që kisha parë te datëlindja ime. U çudita, por thashë shyqyr që babai po lejon mashkull kur unë jam në shtëpi, pasi ai kurrë më përpara nuk ka pas lejuar të hynin djem në shtëpi, aq më tepër që edhe unë të rrija aty kur vinin ata. Nuk po e kuptoja se përse kishte ndryshuar. Kur erdhi ky djali, mami më tha se ai kishte ardhur sepse do të fejohej me mua. Nuk mendova aspak për asgjë, thjesht doja të largohesha sa më parë nga ajo shtëpi ku gjithçka më kishte ardhur në majë të hundës. Me këtë djalin u takuam dhe folëm pak. Pas dy ditësh ai do të largohej për emigrim. Ai jetonte në Itali, por mua më tha se do të kthehej së shpejti. Në fakt, “së shpejti” për të qenë plot pesë vjet!

Unë komunikoja me të nëpërmjet Facebook-ut, po nuk ndjeja se e doja. Thjesht flisja me të për të kaluar kohën. Pas pesë vjetësh, ai u kthye i gëzuar sepse kishte marrë pasaportë të huaj, ndaj për pesë vjet nuk ishte kthyer në Shqipëri. Një muaj pas ardhjes së tij, ne u martuam. Gjithçka ndodhi si në ëndërr, por po më pëlqente kjo ëndërr pasi unë nuk do të rrija më në shtëpi, me prindërit e mi.

Në shtëpi ai jetonte vetëm me prindërit. Nuk kishte motra dhe vëllezër. Në fillim gjithçka dukej mirë, por unë vazhdoja të rrija në dhomën time, pasi nuk isha mësuar të dilja nga dhoma dhe me prindërit e tij grindesha, pasi nuk i duroja dot nëpër këmbë. Aq stresuese u bë gjendja sa unë edhe natën kisha makthe. Më dukej sikur dikush na përgjonte. Jeta ime u bë akomë më e errët… Natën kisha frikë e ditën e kaloja tashmë me dyer të hapura, një gjë e re kjo për mua. Kisha frikë mos çmendesha dhe shkova të vizitohesha. Më dhanë ilaçe dhe më rekomanduan të rrija me njerëz dhe jo vetëm. Po si mund të mësohesha me njerëz kur unë vetëm me kafshë kam ndenjur?

Fatmirësisht, me kalimin e kohës gjërat ndryshuan dhe unë jam më e qetë. Kam lindur një vajzë dhe ajo më ka magjepsur. Tani nuk ndjehem më vetëm. Jetoj me burrin dhe vajzën, kurse prindërit e tij jetojnë në Tiranë. Unë u ktheva te familjarët e mi bashkë me tim shoq dhe me vajzën. Tani jetojmë në fshat. Aty jam më e qetë dhe më e lumtur…