Jam e martuar me një gjarpër

Më kujtohet mirë ajo periudhë e jetës kur me shoqet, shprehnim dëshirat për bashkëshortët tanë. Mendonim se si mund të ishte ideali, duke e krahasuar me baballarët tanë. Kur babai ynë ishte më i keq dhe problematik në familje, dëshironim që burri të mos ishte ashtu, madje bënim dhe be me veten, se nuk do të lejonim të na ndodhte i njëjti fat. Jeta nuk është asnjëherë ashtu siç e ëndërron. Nëse je me fat e burri të bie ngjalë, e hëngre; ama nëse është gjarpër, të hëngri. Mua më ka ka rënë po aq i keq sa një gjarpër.

Unë kam dy fëmijë të vegjël dhe ajo që më intereson më shumë në këtë jetë është mirëqenia e tyre si ekonomike, ashtu edhe shpirtërore. Unë jam 33 vjeçe dhe burri im është 5 vjet më i madh se unë. Jemi martuar me dashuri dhe pas një fejese prej 4 vjetësh. Kemi patur fatin e mirë që kemi filluar punë para martese. Unë jam mësuese dhe kur mendoj se shumë shoqe të miat nuk kanë bërë asnjë ditë punë, kurse unë disa vite, falënderoj Zotin çdo ditë. Gjithashtu dhe im shoq punon në një institucion. Ai ka shumë të mira dhe shumë shoqe më thonë: “Aaaa lum si ti!”. Ai nuk pi, nuk është i dhunshëm dhe as bredh me femra të tjera. “Ku ka më mirë”, do të thoni edhe ju, por ai ka një të keqe më të madhe se pija dhe kurvat: Burri im është bixhozxhi. Nuk ka të keqe më të madhe se bixhozi, të vë në rrezik jetën tënde, por edhe të njerëzve të tjerë të dashur. Nëse nuk do të kisha fëmijë, nuk do të isha menduar dy herë për t’u ndarë, por dy fëmijë ta bëjnë jetën më të vështirë dhe në dilemë. Kur ishim të fejuar, e shikoja që vinte ndonjëherë lloto sporti, madje vija edhe unë dhe nuk e shihja si një të keqe që mund të më hapte aq probleme në të ardhmen time. Po ta dija… Si është ajo shprehja “ta dinte njeriu vdekjen, e hapte gropën vetë”. Gjërat nuk dihen dhe jemi në mëshirën e fatit. Kur ndodhi problematika e parë e madhe e vërtetë, kur rroga nuk vinte fare në shtëpi sepse e gjitha ishte vënë në kredi për të larë borxhet në bixhoz, u nxeha tmerrësisht, fillova të bërtisja me të madhe, kurse ai, qetë-qetë më thoshte: “Më fal, gabova, nuk do ta bëj më”.

Nga zemërimi thirra të mitë dhe prindërit e tij, të cilëve u tregova situatën dhe u thashë që do të ndahesha. Fëmijët ishin shumë të vegjël dhe as që mendoja tjetër gjë. Prindërit e tij m’u lutën duke më thenë se do më ndihmonin në këtë situatë. Në të vërtetë, atë bënë, ndërsa ai betohej që nuk kishte për të ndodhur më. Një pjesë e borxheve u lanë nga prindërit e tij dhe një pjesë nga ne. Desha s’desha, duhet t’i jepja edhe për të ngrënë. Nuk kishte ditë që nuk ia kujtoja, derisa kaloi një periudhë goxha e gjatë, por sado i zemëruar të jetë njeriu, koha kalon dhe zemërimi kalon.

Jeta u normalizua disi… Kishte raste kur diskutoja me koleget për burrat, sigurisht, për burrat e të tjerëve se timin as që më vente mendja ta përmendja me ato që kisha kaluar. Pas një periudhe prej një viti e gjysëm, im shoq filloi të më kërkonte lekë akoma më shumë dhe rrogën nuk e sillte të gjithën në shtëpi. Ai justifikohej me faktin se duhet të qeraste të tjerët për të mbajtur vendin e punës. T’i vërtetoja këto gjëra nuk mund ta bëja sepse nuk i kisha mundësitë e as kontaktet e duhura për këta gjë. Filluan debatet dhe situata sa vinte e tensionohej. Kishte raste kur fëmijët qanin. Kjo gjendje sa vinte e shtohej dhe ajo që i dha goditjen e fundit gjithë kësaj gjendjeje, ishte kur në derë u paraqit një nga personat që burri im i kishte marrë hua 3 milion lekë. Ai person ishte shumë agresiv në momentet e para, por më pas, duke më parë mua të tulatesha ashtu, i uli tonet dhe para se të largohej, më tha nuk do ndahej mirë nëse im shoq nuk i jepte lekët që i kishte marrë. Pasi iku personi, e mora në telefon tim shoq dhe i thashë që të vinte në shtëpi menjëherë. Ajo që prisja ishte që të vinte për pak, por si për të treguar papërgjegjshmërinë e tij, ai erdhi në darkë vonë. Kur erdhi, debatuam ashpër, ai filloi të mohonte e të gënjente dhe gjërat që thoshte nuk puqeshin me versionet. I kërkova të largohej duke i thënë që unë nuk kisha fare lidhje me problemet e tij, se ato nuk më takonin mua dhe që nuk doja që budallallëqet e tij të rrezikonin bukën e fëmijeve. Para se të dilte nga shtëpia, edhe e mallkova në zemërim e sipër.

Atë natë nuk fjeta. Të nesërmen as në punë nuk shkova, me pretekstin se isha e sëmurë. Më erdhi vjehrra duke m’u lutur që ta falja dhe ta ndihmoja që të kapërcente problemet, duke më thënë se kështu e çoja në rrugë akoma më të keqe. Ajo që më acaroi më shumë ishte kur më thoshte se duhet ta edukoja djalin e saj, i cili ishte mjaft i rritur për të mbajtur mbi supe përgjegjësitë e tij. Unë nuk kisha nevojë për t’u bërë dadoja e burrit tim, por për një shok jete që të më ndihmonte të çonim familjen para. Nuk mjaftonin problemet që më kishte hapur, por nevojiteshin edhe akuzat e saj, se nuk isha treguar e kujdesshme. I tregova derën duke i thënë që të mos më shkelte më.

Situata ishte vërtet e mjerë, fëmijët e kërkonin të atin dhe unë nuk dija si t’ua shpjegoja. Ai, herë pas here më dilte para duke më kërkuar falje. Edhe prindërit mundoheshin të na bashkonin, por çfarë mund të bënin ata më shumë seç kishin bërë? Një ditë kontaktova një psikologe e cila e rekomanduar nga një shoqe, më priti pa pagesë. I tregova hallin tim dhe gjëja e parë që më tha ishte: “Bixhozi është sëmundje dhe vetëm me ndihmë mund ta shpëtosh”. Këshillat e saj qenë të vlefshme, por kur njeriu nuk është i fortë, përkulet përpara kësaj bote që nuk ka mëshirë. U deshën gjashtë muaj dhe unë u përkula dhe e ktheva burrin tim përsëri në shtëpi. E ktheva për hatër të fëmijeve që e kërkonin, për frikën time, duke u ndier nën presionin e shoqërisë dhe në fund, prej shpresës së një ndryshimi të njeriut që e kam dashur, që nuk ka shumë vese dhe nuk bredh nëpër femra, por që ka një ves që shkatërron çdo gjë. E ktheva duke i thënë se ky ishte shansi i fundit që i jepja, në të kundërtën, më mirë vetëm sesa me një gjarpër…
infertility