Jacobsonin e lëndoi sigurimi?

Kundërshtarët politikë të Lëvizjes “Vetëvendosje” e kanë përdorur dështimin e sigurimit të ambasadores amerikane, Tracey Jacobson, për ta etiketuar këtë subjekt politik si antiamerikan dhe si lëvizje që sulmon përfaqësues diplomatikë.
Kështu ka deklaruar të mërkurën deputeti i “Vetëvendosjes”, Florin Krasniqi, i cili ka thënë se aktivistët e kësaj lëvizjeje gjatë javës së kaluar kanë bërë përpjekje që t’i ndalojnë deputetët që të mos futen në Kuvend, në mënyrë që ta parandalojnë ratifikimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, por jo edhe të ambasadorëve ndërkombëtarë, shkruan “/LajmeOnline/”.

“Kundërshtarët tanë politikë e kanë qitur jashtë kontekstit prej asaj që ka ndodhur. Por ambasadorja ka ardhur në një kohë, ata (protestuesit) nuk e kanë ditur, ajo ka dalë nga vetura, sigurimi vet ia ka lënduar dorën. Mendoj që edhe ambasadorja nuk është dashur t’i japë aso përmasa. Vetëvendosja kurrënjëherë s’ka qenë kundër asaj si individ, ose kundër ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ambasadorja Jacobson po bie në gracën e kundërshtarëve politikë të “Vetëvendosjes”, Krasniqi ka thënë se këtë grackë e ka hapur ish-ambasadori Christofer Dell, ndërsa ka lavdëruar diplomaten amerikane se ka bërë punë shumë më të mirë sesa paraardhësi i saj.

“Megjithatë ajo nuk po mund të dalë nga ai vurbulli anti-Vetëvendosje që është krijuar në një rreth të caktuar”, ka thënë ai.
Krasniqi, i cili ka mbi njëzet vjet që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se duhet të analizohet mirë situata që ka të bëjë me rastin e diplomates amerikane, ndërsa ka theksuar se në vendet demokratike është policia e shtetit ajo që duhet të kujdeset për sigurinë e diplomatëve.

“Ne kemi pasur rastin (në SHBA) kur kemi protestuar para ambasadorëve të caktuar, kundër liderëve të caktuar, në Nju Jork, ose diku tjetër kur kanë ardhur lider të caktuar. Për shembull, dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë që të protestojnë kundër individëve të caktuar, por është siguria ajo që merret me ta. Mbrojtja e afërt, shteti merret me sigurinë e korit diplomatik edhe mysafirëve”, ka nënvizuar ai.

Këto komente deputeti Krasniqi i ka bërë pasi ka përfunduar mbledhja e rregullt e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, të cilin e drejton ai.

Në këtë mbledhje është marrë vendim që të formohet grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, kryesues i të cilit është caktuar deputeti Fadil Demaku, ndërsa anëtar deputetët Haki Demolli, Burim Ramadani dhe Duda Balje. /LajmeOnline/