Ja si u grabitën kosovarët në Rrugën e Kombit

Prokuroria e Lezhës ka zbardhur skemën e plotë të grabitjes së kosovarëve që vinin për të pushuar në Shqipëri. Bëhet fjalë për dy të rinjtë Ardit Maxhuni dhe Anton Nikolli, të dy nga 22 vjeç, të cilët në gusht të 2013-ës kanë grabitur nën kërcënimin e armës disa shtetas kosovarë që udhëtonin për në Shqipëri përmes Rrugës së Kombit.
Gjykata e Lezhës i ka dënuar dy të rinjtë me nga 15 vite burg, por sipas procedurave të shkurtuara, secili prej tyre përfundimisht është dënuar me 10 vjet burg.

Ndërkohë që ky proces gjyqësor përfundoi, nga ana e organit të akuzës së Lezhës po vijojnë hetimet për përfshirjen e mundshme të këtyre shtetasve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në raste të tjera vjedhjeje me armë në këtë zonë. Kjo, pasi në gushtin e vitit të kaluar, shumë qytetarë nga Kosova denoncuan vjedhjen me armë në Rrugën e Kombit, gjatë udhëtimit të tyre drejt destinacioneve turistike shqiptare.

SKEMA
Nga hetimi i Prokurorisë së Lezhës është zbuluar “mekanizmi” i vjedhjes me armë. Sipas të dhënave, rezulton se dy të akuzuarit dilnin në rrugë dhe vinin pengesa, kryesisht gurë të mëdhenj dhe drurë të ndryshëm, me qëllim që automjetet të pengoheshin, duke ngadalësuar shpejtësinë. Pasi ndalonin për shkak të pengesave, dy të pandehurit afroheshin tek automjeti dhe nën kërcënimin e armës iu vidhnin sendet personale dhe vlerat monetare. “Më datë 03.08.2013, rreth orës 02.30, është njoftuar Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë, në lidhje me faktin se në aksin rrugor Kalimash-Rrëshen, janë grabitur me armë zjarri shtetasit kosovarë O. Cakiqi dhe F. Ahmeti, të cilët kanë qenë duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Shkodrës me automjetin me targa të Kosovës”, citohet në dosjen e organit të akuzës.

Pas kësaj, policia ka vënë në pranga 22-vjeçarin Ardit Maxhuni, i cili ka shpjeguar për grupin hetimor edhe mekanizmin që kanë përdorur për të grabitur kosovarët. Ndërsa bashkëpunëtori i tij Anton Nikolli ka mundur që të largohet fillimisht, për shkak të njohjes së terrenit si banor i zonës. Njohja mes tyre është bërë në fshatin Shënkoll, Lezhë, ku edhe banonte Maxhuni, ndërsa Nikolli shkonte shpesh tek të afërmit e tij./balkanweb/