JA SI DO TË UDHËTOJNË KOSOVARËT PA VIZA

loading...


Qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike nuk do të kenë nevojë për vizë kur udhëtojnë për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë në vendet anëtare të BE-së.

Sipas një njoftimi të dërguar nga Komisioni Evropian, zyra në Bruksel, informohemi se në momentin që propozimi për heqjen e vizave për kosovarët miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike nuk do të kenë nevojë për vizë kur udhëtojnë për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë në vendet anëtare të BE-së.

Përjashtim nga kjo listë bëjnë Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe në katër vendet jo-anëtare të BE-së të përfshira në Shengen (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicrra).

KE njofton kosovarët se përjashtimi i vizave parasheh vetëm udhëtim të shkurtër deri në 90 ditë për çfarëdo periudhe 180 ditore për qëllime biznesi, turistike ose familjare. Ndërkohë edhe qytetarët e BE-së tashmë mund të udhëtojnë pa viza për në Kosovë.

Kushtet tjera për hyrje në zonën Shengen do të vazhdojnë të aplikohen, duke përfshirë nevojën për të dëshmuar mjete të mjaftueshme financiare dhe arsyen e udhëtimit. Përjashtimi i vizave nuk ofron të drejtën për punë në BE.

Përndryshe, ju kujtojmë se Komisioni Evropian e nisi dialogun për liberalizim të vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Në qershor 2012, Komisioni i dorëzoi autoriteteve të Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, i cili identifikoi masat legjislative dhe institucionale që Kosova do duhej t’i miratojë dhe zbatojë për të përparuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi paraqet një listë gjithëpërfshirëse të reformave që Kosovës i kërkohej t’i zbatojë, me qëllim që të përparojë drejt liberalizimit të vizave, duke përfshirë riintegrimin dhe riatdhesimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufijve dhe migrimin, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes.

Komisioni paraprakisht ka miratuar tri raporte për progresin në Kosovë në kuadër të dialogut për viza: i pari më 8 shkurt 2013; i dyti më 24 korrik 2014; i treti më 18 dhjetor 2015 dhe i katërti më 4 maj 2016. Këto raporte përmbanin vlerësimin e progresit të bërë nga Kosova, rekomandimet për autoritetet e Kosovës dhe të dhënat për ndikimin e migrimit dhe sigurisë në regjimin pa viza. Raporti i tretë konkludoi se vetëm tetë kritere mbetën të papërfunduara dhe se sapo Kosova t’i përmbushë këto kritere të mbetura dhe të dëshmojë se masat e ndërmarra për të parandaluar një fazë të re migrimi në BE janë efektive, Komisioni do të propozojë heqjen e obligimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në Këshill, vendimi për propozimin e Komisionit do të merret me shumicë të kualifikuar.
20160504135515550620

loading...

loading...