Ja cila është marrëveshja që do ta nënshkruan Kosova me Togon?

Dy javë pasi që Togo ka njohur pavarësinë e Kosovës, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Togos, Robert Dussey do ta vizitoj Kosovën.

Dussey, do të vizitoj të hënën Kosovën ku do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas një njoftimi të kësaj ministrie të dy ministrat pas takimit do të nënshkruajnë një marrëveshje ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajnë një konference për medie.

Mirëpo sipas burimeve të “Zërit” marrëveshja ka të bëj me vendosjen e marrëdhënieve mes të dyja shteteve.

Deri në njohjen e Kosovës nga Togo, ministri Hoxhaj kishte kontakte të shpeshta me homologun nga Togo, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të këtij vendi.

Më 20 janar të këtij viti, ministri Hoxhaj kishte zhvilluar një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Togos, Lome, ku gjatë takimit zyrtar me homologun Dussey, i kishte dorëzuar kërkesën zyrtare për njohjen e pavarësisë.

Njohja nga Togo ka çuar në 107 numrin e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, që e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Togo shtrihet në pjesën perëndimore të Afrikës, ka mbi 7 milionë banorë dhe është anëtare e Kombeve të Bashkuara nga 20 shtatori 1960.