Italia kërkon 17 mijë punëtorë, rregullat dhe kriteret për shqiptarët

Italia kërkon 17 mijë punonjës të huaj sezonalë gjatë këtij viti kryesisht në sektorin e bujqësisë dhe atë të turizmit-hotelerisë.
Hyrjet e reja do të autorizohen nga një dekret fluksesh që do të përmbajë edhe kuota hyrjesh josezonale (sipas disa kritereve strikte si për shembull që punonjësi të ketë marrë pjesë në kurse të veçanta formimi në atdhe) si edhe kuota për konvertime lejeqëndrimesh. Teksti, që mund të shpallet javët e ardhshme, do të përcaktojë edhe datat nga të cilat mund të nisen kërkesat online, të ashtuquajturat “click day”.

Nuk duhet të ketë ndonjë risi rreth vendeve të origjinës e do të konfirmohen ato të parashikuara vitet e shkuara, mes të cilave Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia por edhe Bosnje-Hercegovina, Bregu i Fildishtë, Algjeria, Egjipti, Etiopia, Filipine, Gambia, Gana, India, Japonia, Korea e Jugut, Maroku, Mauricius, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Sudani, Ukraina dhe Tunizia.

Ndërkaq, kanë ndryshuar disa rregulla mbi hyrjen e qëndrimin e punonjësve sezonalë. Mes të tjerash, janë specifikuar me ligj sektorët e punësimit sezonal, janë thjeshtëzuar hyrjet shumëvjeçare të punonjësve që kanë qenë në Itali vitet e mëparshme e janë përcaktuar norma më shtrënguese mbi strehimin dhe kundër ndërmarrjeve që sjellin punonjës të huaj në Itali por nuk i punësojnë. Ja një kuadër më i detajuar i risive normative dhe shpjegimet e ministrisë së Brendshme dhe asaj të Punës.

“Flukset për punonjësit sezonalë nuk mund të përdoren nga kush ndodhet tashmë në Itali pa pasur leje qëndrimi apo për të punësuar punonjës në sektorë të ndryshëm nga bujqësia e turizmi. Objektivi është të ndalohen “kërkesat e rreme” që sidoqoftë nuk kanë asnjë shpresë të pranohen, por që mbingarkojnë sistemin në dëm të punonjësve sezonalë e të ndërmarrjeve që kanë efektivisht nevojë urgjente për ta” thotë Romano Magrini, përgjegjës për politikat e punës në Coldiretti, cituar nga Shqiptariiitalise.com.

Me gjithë të papunët që ka tashmë Italia, italianë e të huaj, ç’nevojë ka për hyrje të reja? “Puna e rastësishme në fusha po thith një pjesë të të papunëve, por ka mijëra punonjës të huaj që prej vitesh vijnë për disa muaj në Itali e kanë një marrëdhënie pune të ngushtë e të strukturuar tashmë me ndërmarrjet. Janë të formuar, jo vetëm profesionalisht por edhe në aspektin e sigurisë, ndaj janë të pazëvendësueshëm. Kuotat e reja janë sidoqoftë të domosdoshme” shpjegon Magrini.

Mes vendeve nga mund të vijnë punonjës sezonalë, disa kanë vërtet shumë larg. Lind pyetja nëse vërtet mund të ketë leverdi dikush të paguajë gjithë atë udhëtim për të ardhur në Itali për vetëm pak muaj punë? “Me sa duket, ia leverdis, e ndoshta edhe falë fluturimeve me kosto të ulët. Një shpenzim që amortizohet me rrogën, madje paratë e fituara në Itali shërbejnë edhe për t’u investuar në aktivitete që ndiqen në vendlindje gjatë pjesës tjetër të vitit” thotë i sigurt eksperti i Coldiretti-t.

Por është për t’u pritur gjithashtu që shumë nga ato 17 mijë kuota, për shkak edhe të informacionit të paktë dhe orekseve të paligjshme të ndonjë ndërmjetësuesi, të keqpërdoren. “Do të ketë me siguri shumë kërkesa të paraqitura pa përmbushur kriteret, të destinuara sidoqoftë të mospranohen. Është një fenomen që mund të luftohet seriozisht vetëm duke kaluar të gjitha kërkesat nga organizatat e kategorisë, që mund t’i filtrojnë e të nisin vetëm ato pas të cilave ka një ofertë të vërtetë pune sezonale. e propozojmë prej vitesh këtë gjë” përfundon Magrini.