Ish- prokurori: Ju rrëfej takimet sekrete me Berishën për vrasjen e Azem Hajdarit(VIDEO)

sh- prokurori i rrethit të Gramshit, zoti Violent Çoniku, tashmë avokat në Tiranë, ka hetuar dosjen e vrasësve të deputetit demokrat Azem Hajdari.

Ai thotë për gazetën Dita se Sali Berisha ka prova të shumta për vrasjen e Azem Hajdarit, që nuk janë përfshirë në dosjen hetimore.

“Mund të them, se unë kam bërë disa takime me Sali Berishën për “dosjen” e Azem Hajdarit dhe ecurinë e saj në hetime. Berisha më thërriste duke shfrytëzuar faktin, që unë isha isha mik i afërt i Azem Hajdarit.

Ka edhe shumë fakte të tjera, të cilat ia kam dhënë nga hetimet dhe bisedat konfidenciale, që kam bërë me Haxhiajn dhe Hakljan. Sali Berisha i di të gjitha, ia kam lënë me shkrim, me detaje. Më porosiste: “Mos i trego askujt as në familje, që ke biseduar me mua. Mos i jep askujt asgjë nga këto që më ke dhënë mua”. Disa kohë pasi i kisha dorëzuar provat në një takim tjetër me të, unë i kërkova Berishës të hapej hetimi për këtë dosje. Ai më tha: “Patjetër që do ta hapet. Kur të vijmë në pushtet do ta hapim”.

Siç e thashë, Sali Berishës i kam dhënë shumë fakte dhe emra që nuk i kam thënë as në Komisionin Hetimor Parlamentar, sepse komisioni e ndërpreu pyetjen time. Berisha është i vetmi person, që i di të gjitha detajet, emrat dhe faktet që nuk janë futur as në dosjen gjyqësore. Sali Berishës i kam dhënë prova të plota me emra e pseudonime personash dhe vendesh, kode komunikimi sekrete mes atyre që organizuan dhe realizuan vrasjen e Azem Hajdarit. Por ai ka vite që i ka bllokuar e nuk i nxjerr këto prova. Sikur Berisha, të çoj në prokurori vetëm disa prej atyre provave, dosja “Hajdari” e detyron drejtësinë ta rihap këtë dosje urgjent dhe ajo zbardhet lehtësisht e shumë shpejt,” thotë Çoniku.

Ai thotë se ka dëshmuar edhe në komisionin parlamentar të ngritur në vitin 2002 për vrasjen e Hajdarit.

Atë e kanë pyetur veçanërisht për arrestimin në vitin 1998 të Isamedin Haxhisë dhe Halil Haklajt.

“Pyetjet nisën për dy të arrestuarit Isamedin Haxhiaj dhe Halil Haklaj, rreth dosjes hetimore me nr.106, korrik 1998, persona të cilët akuzoheshin “për trafik armësh” dhe më pas, sipas ngjarjeve e akuzave, akuzoheshin për vrasjen e Azem Hajdarit. Konktretisht, deputeti Spartak Ngjela, më ka paraqitur në komision një dokument, të cilin e kishte tërhequr me autorizim të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Thoedhori Sollaku, dokument që përmbante një informacion të dërguar nga SHISH, firmosur nga ish drejtuesi i Fatos Klosi, në të cilin përcaktohej, se (unë) prokurori i Gramshit Violent Çaniku, kisha arrestuar dy shtetas dhe konkretisht zotërinjtë Isamedin Haxhia dhe Halil Haklaj, pasi sipas atij dokumenti, “gjoja mua, më kishte telefonuar Azem Hajdari, për t’i arrestuar”.

Ky dokument, besoj se gjendet në Prokurorinë e Përgjithshme, në arkivën e SHISH dhe në Komisionin Parlamentar, dokument të cilin ma kishte përmendur shoqërisht edhe ish-Prokurori i çështjes “Hajdari”, zoti Haxhi Giu, por që na atë kohë, nuk i kushtova rëndësi. Kur u ballafaqova në Komisionin Parlamentar, këtë dokument ma paraqiti deputeti Spartak Ngjela. 

Zoti Ngjela, më pyeti me këmbëngulje: – A është e vërtetë kjo që thotë SHISH, në këtë informacion? – A qëndron fakti, që Azemi të ka dhënë porosi për të arrestuar Haxhiajn dhe Haklajn? Përgjigja ime ishte kjo: – Ai informacion është një trillim i SHISH dhe Azem Hajdari, nuk më ka zënë në gojë emrat e tyre asnjëherë.

Më pyetën dhe anëtarët e tjerë, të cilët interesoheshin për arrestimin e tyre dhe nëse kishte ndonjë ndërhyrje, për t’i liruar nga burgu. Madje, Bashkim Fino më tha, se “kishte përgatitur 100 pyetje, por që nuk m’i bëri, mbasi më tha se “i kuptova gjërat”. Por zoti Fino, më bëri një pyetje për Fatos Klosin, duke u interesuar “nëse gjendej zoti Klosi, apo jo në Gramsh dhe a kishte ndërhyrë tek mua si prokuror, për t’i liruar”. Unë ju përgjigja: “Fatos Klosi ka qënë në Gramsh në datën 24 gusht 1998, kur dy personat ishin në burg, por nuk më ka kërkuar lirimin e tyre. Po në atë datë dhe në atë orë, ka qënë në Gramsh edhe ish-ministri i Drejtësisë, Thimio Kondi,” thotë ish- prokurori.

Sipas tij, në mënyrë krejt të papritur, më 4 shtator të vitit 1998, Haklaj dhe Haxhiu u liruan.

“Ata u liruan në datën 4 shtator 1998. Sipas dokumentit të SHISH, që m’u paraqit në Komisionin Hetimor Parlamentar, thuhej që “këta i kishte arrestuar “një porosi e Azem Hajdarit, porosi që më ishte dhënë mua prej Azemit”.

Ky dokument, u ishte bërë i ditur dhe dy të arrestuarve Haxhiaj e Haklaj, të cilët e kishin në dorë, madje siç më kanë deklaruar gjatë hetimeve “kjo ishte lojë, për t’i nxitur për të krijuar konflikt me Azem Hajdarin e për t’u hakmarrë ndaj tij”.

Pas lirimit të tyre në datën 4 shtator 1998, ndodhi vrasja në datën 12 shtator 1998, vrasje për të cilën u arrestua Isamedin Haxhiaj dhe miku i tij Fatmir Meta, si dhe u akuzua Halil Haklaj, i cili afro 1 vit më pas, në datën 4 gusht 1999 u vra, përpara se të bëheshin arrestimet për vrasjen e Azemit.

Komisioni Hetimor Parlamentar duhej të kërkonte hapjen e dosjes, për arsye se aty u paraqitën fakte dhe rrethana të reja të ngjarjes, që hedhin dritë mbi organizatorët e vërtetë të vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Nga hetimet e bëra, kam rezultuar se grupi i vrasësve të Azem Hajdarit përbëhej nga 17 persona, nga të cilët 6 janë vrarë. Nëse dosja hetohet nga e para, dalin të gjithë emrat e vërtetë të kësaj vrasjeje. Kam kërkuar, që në Komisionin Parlamentar të thirret ish-ministri Thimio Kondi, i akuzuar si liruesi i tyre real dhe si ndërhyrës për të shpejtuar datën e gjyqit në Gramsh e për t’i liruar ata, por gjithë anëtarët e Komisionit të të dy krahëve politikë heshtën dhe e mbyllën procesin e pyetjes time, për dosjen “Hajdari” pa asnjë vendim”.

vj-500x300