Ish-fituesi i “BB” i hyn televizionit

loading...

QETS

loading...
Ish-fituesi i “BB” i hyn televizionit: Do jem moderator i një programi mëngjesi, më ofruan pagë të majme.

Me kostum shik dhe stil elegant është shfaqur në spotin promocional të një televizioni të ri. I pëlqen të zhduket dhe të rishfaqet gjithmonë kur ka diçka të re për të thënë. Qetsor Ferunaj, si një nga fituesit e formatit “Big Brother” ka fituar dhe një përvojë speciale para kamerave, e mjaftueshme sipas tij për të marrë përsipër një projekt televiziv në rolin e moderatorit. Do të jetë prezantues kryesor i një programi mëngjesi në një tv të re, ndërkohë që flet për ambiciet e tij në televizion. Po ashtu komenton banorët e “Big Brother 6”.

Qetsor, dimë që deri në këto momente që flasim jeta jote ka vazhduar me familjen në Vlorë. Keni menduar të zhvendoseni në Tiranë?
Po, kam vendosur përfundimisht që ta nis jetën time në Tiranë së bashku me familjen. Për momentin jam vetëm unë këtu dhe pak më vonë do sjell bashkëshorten dhe dy fëmijët.
Cila është arsyeja që të bëri të marrësh këtë vendim, që do ndryshojë kryekëput jetën tënde?
Arsyeja është puna ime e re si moderator i një programi mëngjesi në një televizion të ri. Jemi tre prezantues të këtij programi, që zgjat 1 orë në ditë. Dy të tjerët janë personazhe të njohur, por unë preferoj që t’i lë surprizë.
Çfarë detajesh të tjera mund të na zbulosh për këtë format të ri?
Do të jetë një program elegant në stilin e një “talk show”, që do zgjasë një orë. Natyrisht që do të trajtohen shumë tema, nga më të thjeshtat deri te ato më të rëndësishmet. Kaq mund të zbuloj për momentin.
Si ndodhi që u bërë pjesë e stafit të këtij televizioni, ishe ti që aplikove apo t’u bë ofertë?
Në fakt, kush e dinte se një ditë do të kisha një mundësi të tillë… Isha unë që aplikova si gjithë të interesuarit e tjerë. Bëra një kërkesë dhe kalova në disa etapa, si gjithë aplikantët e tjerë, derisa më pranuan. T’i hyja karrierës televizive ka qenë në fakt një dëshirë e imja, që pas daljes nga “BB” si fitues.
E tashmë që puna ka filluar, si po ndihesh?
Shkëlqyeshëm, po arrij atë çfarë kam dëshiruar. Besoj se nuk është pak, përderisa shumë e synojnë televizionin dhe nuk kanë një mundësi.
Meqë ti e ke dëshmuar se nuk je aq idealist, pra çdo vendim apo sakrificë e peshon me para… mund ta dimë sa do paguhesh për këtë punë?
Që të mos përmend shifra, do deklaroj vetëm faktin që rrogën e kam të majme.
Dhe çfarë tip moderatori do na ofrosh ti në ekran?
Do të sjell moderatorin kritik, serioz dhe praktik. Pra, një manaxhues i mirë i situatave që mund të krijohen në studio.
E ke një model moderatori të njohur që ti i je referuar në këtë eksperiencë tënde të parë?
(qesh) Më shkon pak të bëj egocentrikun dhe këtu, ndaj po përgjigjem se do të sjell në ekran moderatorin që e përfaqëson shumë mirë Sorin e “Big”-ut…

Marselini më duket thjesht i keq, Anaidi e ha bukën kot aty

Nuk ka hezituar asnjëherë që të bëjë komente të hapura për lojtarët e “Big Brother”, duke u bërë dhe një skaner karaktereve që fshihen pas lojës që ata bëjnë para kamerave. Ja si i komenton Qetsori banorët e rinj të “BB6”, duke zbuluar ndonjë sekret sikur të ishte vetë në lojë…
Kush të ka bërë përshtypje deri tani nga lojtarët e “Big Brother 6”?
Deri tani më ka bërë përshtypje vajza modele Elena, e cila më duket se i ka nxjerrë shumë herët pjesët intime të trupit. Strategji e gabuar, duhet të kishte pritur dhe pak.
Beson edhe ti se zhigoloja i përfolur është Marselini?
Hmmm. Nuk e besoj për faktin se ai vjen nga Bari dhe unë, nga jeta që kam bërë vetë në atë qytet, nuk mendoj se ai ka pasur mundësinë të bëjë zhigolonë atje.
Atëherë kush mund ta fshehë atë sekret sipas teje?
Më shumë gjasa ka që zhigoloja të jetë Xhimi, 44-vjeçari i ardhur nga Greqia. Më duket si një zhigolo i dalë mode, të them të drejtën.
Po i martuari ose e martuara kush mund të jetë nga banorët?
Për Xhimin dyshoj sërish. Ai në fakt më duket në “BB6” si personazhi më enigmatik dhe që fsheh shumë të vërteta njëkohësisht. Më duket i çuditshëm.
Po për talasemiken ke ndonjë ide?
Kam menduar për një nga binjakët, të cilët mund t’i ndërronin pikërisht për këtë arsye, por tani s’kam ndonjë ide edhe për faktin se s’më krijon gjendje të mirë të flas për dikë që ka probleme me shëndetin.
Ndërkohë, Anaidi ishte personi që zbuloi sekretin e parë, të duket edhe ty i zgjuar e me intuitë?
Jo. Anaidi për mua ha bukën e “Big”-ut kot.
Zakonisht në këtë format dominon një person si më negativi. Kush e bën rolin e të keqit në këtë lojë?
Marselini mendoj shfaqet si tip negativ.
Ndërkaq publiku ka aluduar se një nga vajzat mund të jetë bisekuale. Ty cila të duket e tillë?
Elena më duket biseksuale, se pasi iu afrua ndonjë djali aty, përpiqet ta fshehë këtë prirje. Kam përshtypjen se ajo nuk e ka problem të krijojë intimitet edhe me femra, edhe me meshkuj.
Atëherë cilin sheh si fitues të “BB6”?
Mendoj Elona, vajza që ushtron sportin taekwondo.

/PANORAMA/

loading...