Isa Mustafa i la krejt dhe iku në Tiranë

Në vlugun më të madh të takimeve të liderëve të bllokut opozitar për të arritur marrëveshje, kreu i LDK-së, Isa Mustafa udhëtoi në Tiranë. Ai u takua me kreun e PD-së, Lulzim Basha.
Burime të Indeksonline thonë se tre liderët tjerë të opozitës, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, po presin Mustafën të kthehet nga Tirana për të nisur takimin që mund të sjellë marrëveshjen mes këtyre katër forcave opozitare.
“Takimi mes dy liderëve të së djathtës shqiptare dhe asaj kosovare, ka nisur rreth orës 16:00. Ende nuk janë zbardhur detajet e këtij takimi nga ana e demokratëve në Tiranë, por mësohet se mes tyre është diskutuar për rolin e opozitës në jetën politike të të dyja vendeve dhe sigurisht për zhvillimet në Kosovë pas zgjedhjeve dhe vështirësitë në formimin e qeverisë së re”, raportojnë mediat shqiptare.
Mësohet se Basha i ka uruar përfaqësuesit e LDK rezultatet e arritura në këto zgjedhje, e për standardet e gjithë procesit zgjedhor.
Ndërkohë, që të dy liderët kanë shprehur gatishmërinë për tu takuar dhe bashkëpunuar në të ardhmen në kuadër edhe të interesave dhe aspiratave të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kosovës, për të ecur së bashku në rrugën drejt familjes evropiane.