Isa Mustafa: Gjykata nuk e zgjedh as Kryetarin e Kuvendit e as Qeverinë

“Me 17 korrik ndodhi veprimi më demokratik, në rrethana krejtësisht jodemokratike, që mund të ndodh në një vend. Me vullnetin e tyre, 83 deputetë u shprehën se nuk e dëshirojnë vazhdimin e qeverisjes, e cila e ka ngulfatur shtetin.

Ky është vendim i atyre që morën votën e sovranit. Ne nuk e përdorëm as rrugën dhe as dhunën për ta treguar fuqinë dhe vendosmërinë tonë. E përdorëm votën, si mjetin më demokratik të këtij vendi.

LDK, AAK dhe Nisma sot jemi edhe më shumë të vendosur që të vazhdojmë këtë rrugë demokratike për t’i dhënë këtij vendi shansin e ndryshimeve. Unë jam i prirur të besoj se institucionet e pavarura do të marrin vendim të pavarur kushtetues.

PDK dhe z. Thaçi duhet ta kenë të qartë se gjykata gjykon për kushtetutshmërinë, por ajo nuk e zgjedh as Kryetarin e Kuvendit e as Qeverinë. Këtë e bëjnë deputetët. Ne e kemi grupin më të madh parlamentar, e kemi besimin e shumicës, edhe asaj shqiptare edhe të komuniteteve, që është kriter themelor kushtetues”, shkruan Mustafa.