“Intertex” plason prodhimet gjakovare në Evropë dhe në botë (Foto)

Passport

Mos u habisni nëse në një “Volkswagen Touareg” fringo të ri, të blerë në ndonjë shtet të Evropës, mund ta shihni që në mbulesën e tij do të shkruajë “Made in Kosovo”.

Këtë emërtim fare lehtë mund ta shihni edhe në një jelek antiplumb, apo në ndonjë këllëf revolveri të ndonjë marinsi amerikan diku në Irak apo Afganistan.

Nëse në të ardhmen i hasni këto produkte me këtë mbishkrim, dijeni se të njëjtat janë prodhuar në Gjakovë.

Është kompania “Intertex” e themeluar nga “Mabetex Group”, e cila ka sjellë në Gjakovë dy linja prodhuese të dy kompanive të fuqishme ndërkombëtare. Sipas menaxheres ekzekutive të kësaj kompanie, Ardita Rizvanolli, dy linjat prodhuese nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, por ato janë të kontraktuara nga e njëjta kompani, që është kompania “Intertex”.

“Ne si kompani “Intertex” kemi nënshkruar marrëveshje për fillimin e linjave prodhuese me kompaninë suedeze “Trox” për të cilën do të prodhojmë mbulesa njëpërdorimshme për makinat e reja të markave “Volkswagen”, “Volvo”, “Audi” dhe shpresojmë në të ardhmen edhe të markave tjera. Gjithashtu kemi nënshkruar marrëveshje edhe me kompaninë “Blue Stone Safety” për të cilën do të prodhojmë pajisje ushtarake, konkretisht jelekë antiplumb, jelekë për gjueti e të tjera. Kompania “Blue Stone Safety” është njëra ndër kompanitë kryesore që furnizon me uniforma dhe pajisje disa nga ushtritë kryesore, në mesin e tyre edhe ushtrinë amerikane. Ajo që ka shumë rëndësi, përpos punësimit të njerëzve, është fakti se këto prodhime do ta kenë të stampuar prejardhjen dhe origjinën e prodhimit dhe konsideroj se kjo është një gjë pozitive për vendin tonë, sepse këto prodhime do të shiten si prodhime evropiane të prodhuara në Kosovë në të gjitha vendet e botës, pa përjashtuar këtu Rusinë apo Serbinë”, ka thënë Rizvanolli.

E për fabrikën e cila zyrtarisht është inauguruar më 17 shkurt, në përvjetorin e shtatë të Pavarësisë së Kosovës, Rizvanolli ka bërë të ditur se është investuar mbi 1 milion euro, investim i bërë nga “Mabetex group”, shkruan “Zëri”.

Megjithatë, përkundër inaugurimit zyrtar, kjo fabrikë duhet të presë të paktën edhe disa ditë që edhe konkretisht ta fillojë veprimtarinë prodhuese.

“Tashmë të gjitha makineritë kanë ardhur nga Suedia, Gjermani dhe Italia dhe ato janë të gatshme për prodhim. Megjithatë, jemi ende në pritje të lëndës së parë e cila veçse është në rrugë e sipër dhe nëse nuk del ndonjë problem i papritur atëherë prodhimi do të fillojë më së largu pas 10 ditësh”, ka thënë Rizvanolli, për të shtuar se i tërë prodhimi që do të bëhet në Gjakovë e ka shitjen e garantuar përmes eksportit.

E hapja e kësaj fabrike ka qenë lajmi më i mirë që qytetarët e Gjakovës po thonë se e kanë marrë në 16 vjetët e fundit, pas çlirimit të vendit. Litafete Grezda, njëra nga të punësuarat në këtë fabrikë, ka thënë se një gjë të tillë e kanë pritur tash e shumë vjet.

“Që nga paslufta kemi qenë pa punë dhe sot më shumë se kurrë kemi pasur nevojë për punë. Jam shumë e lumtur që do të fillojë punën dhe për këtë i falënderoj ata që kanë investuar”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, siç ka bërë të ditur menaxherja Rizvanolli, aktualisht fabrika do të fillojë së funksionuari me 70 punëtorë, për t’u zgjeruar në muajt e ardhshëm.

“Do të fillojmë me 70 punëtorë. Deri në fund të marsit parashikojmë t’i kemi 120, ndërsa deri në fund të vitit 250 punëtorë. Paga mesatare do të jetë 250 euro”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, ndonëse Gjakova ka një të kaluar të pasur me prodhimtari, e veçmas në industrinë e tekstilit, zyrtarët e “Intertex”-it, thonë se nuk e kanë pasur të lehtë të gjejnë punëtorë të aftë për këto dy linja të prodhimit.

“Ka pasur shumë aplikime, por jo të gjithë kanë dëshmuar aftësi të punojnë në këto dy linja. Prandaj jemi duke i shikuar mundësitë që ta kontaktojmë një kompani vendore e cila do t’i trajnojë aplikantët dhe te ne t’i sjellë të kualifikuar dhe të gatshëm për prodhim”, ka përfunduar Rizvanolli.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të kësaj fabrike, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, dhe, në këtë rast, investitori i kësaj fabrike Behgjet Pacolli, kanë thënë se kjo fabrikë do të pasohet edhe me fabrika tjera muajve në vazhdim. /Zëri/

 

Image