Institucionale në ‘duar’ të ‘Srpskës’ e VV-së

Tash për tash as PDK, e as LDK-AAK-NISMA nuk i kanë numrat për të krijuar të vetme institucionet e vendit. Serbët dhe Vetëvendosja do të përcaktojnë fatin e qeverisë.

Janë bërë bashkë, jo vetëm për ta larguar nga pushteti qeverisjen Thaçi, por për t’i ofruar vendit perspektiv dhe zhvillim ekonomik. Por, edhe një muaj pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të 8 qershorit, as partia që doli fituese e zgjedhjeve, dhe as blloku opozitar të bashkuar në një koalicion nuk po arrijnë t’i formojnë institucionet e reja të Republikës së Kosovës. E krejt kjo po bëhet me fajin e PDK-së, e cila ndonëse e vetme nuk po mund t’ia dalë mbanë, ajo po bllokon çdo proces të nisur nga blloku opozitar.

Kërkesa e PDK-së për ta dërguar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në Gjykatën Kushtuese, dhe vendimi i kësaj të fundit për të pezulluar vendimin për zgjedhjen e Mustafës, ka shtuar edhe më shumë paralajmërimet për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. E nëse partitë politike nuk pajtohen për tejkalimin e krizës, bllokimi i sërishëm i procedurave për ta votuar kreun e Parlamentit qon vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Por tash për tash as PDK, e as LDK-AAK-NISMA nuk i kanë numrat për të krijuar të vetme institucionet e vendit. Serbët dhe Vetëvendosja do të përcaktojnë fatin e qeverisë.

Përfaqësuesi i organizatës D4D Selatin Kllokoqi i ka deklaruar gazetës “Botapress” se nuk do të ketë zgjedhje, por formim të qeverisë. “Nuk do të ketë zgjedhje, por do të krijohet qeveria, sepse numrat ekzistojnë dhe se qeverinë e zgjedhin deputetët e Kosovës. Qeverinë nuk e zgjedh as partia e askush, por një shumicë e cila edhe do ta zgjedh qeverinë. Shumica janë 61 deputetë, dhe ajo parti që i bënë 61 vota apo edhe më shumë ata e zgjedhin qeverinë dhe ne e kemi parë në mbledhjen e fundit konstituive se kush i ka numrat”, tha ai. /Botapress/