Ian Thorpe rrezikon të humbasë krahun e majtë

Ian Thorpe, një ndër notarët më të famshëm të të gjitha kohërave rrezikon të humbasë krahun e majtë. Sipas “Network Seven” notari australian është infektuar nga një virus, pas një ndërhyrje kirurgjikale në një spital pranë shtëpisë së tij në qytetin Ronco në Zvicër. 31-vjeçari nga New South Wales tashmë është shtruar në një spital në Sydney, nën terapi intensive, dhe miq të ngushtë të tij druhen se Ian Thorpe mund të humbasë funksionimin e krahut të majtë. Doktorët kanë dalluar një infeksion serioz që mendohet të jetë marrë në Zvicër gjatë operacionit. Ian Thorpe ka përfaqësuar Australinë që në moshën 14-vjeçare dhe ka fituar pesë medalje të arta gjithsej nëpër Olimpiada. Ndërkaq sipas rrjetit tjetër televiziv ABC menaxheri i notarit të famshëm James Erskine është shprehur se Thorpe nuk është në terapi intensive, por është duke u mjekuar me një dozë të lartë antibiotikësh. Sipas tij 31-vjeçari është infektuar nga ky virus në një spital të Sydneyt, pas një tjetër ndërhyrje kirurgjikale.

Në muajin Shkurt babai i tij rrëfeu se Thorpe po vuante nga depresioni. Ish-sportisti kërkoi ndihmë në fillim të vitit 2014 menjëherë pasi u gjet i çorientuar, në qytetin e tij të lindjes Sydney, shumë pranë shtëpisë së prindërve dhe gjithçka mendohet se erdhi si pasojë e kombinimit të medikamenteve kundër depresionit me mjekimin e tij për një dëmtim në shpatull. Pas kësaj ngjarje Thorpe u dërgua në një spital në Bankstown ku iu nënshtrua një programi rehabilitimi. Notari i famshëm australian bëri një tentativë të dëshpëruar tre vjet më parë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Londrës, por pa sukses. Ian Thorpe në kohën e tij konsiderohej gati-gati i pathyeshëm dhe është shpallur notari më i mirë i vitit në botë plot katër herë duke thyer në këtë anketë emra të mëdhenj të këtij sporti, por gjithashtu “Torpedo” ka fituar më shumë medalje të arta se çdo sportist tjetër australian në gjithë historinë e Olimpiadave.