I vranë djalin e vetëm, fjalët prekëse të atletit të njohur: Gangsterët…

Marvi Mihali ishte djali i vetëm i atletit Pavllo Mihali. Dhimbja është e madhe dhe familja kishte hapur dyert e mortit.

Në një reagim lidhur me ngjarjen e rëndë ku djali i vetëm i tij humbi jetën, Pavllo Mihali tregon për “Shekulli-n”, se e vërteta e ngjarjes është për një karikues. Por sipas tij, Marvi u sulmua nga grupet e gangsterëve, duke i çarë aortën.

Ai thotë se Marvi ishte vetë i dytë në atë sherr dhe nuk ka mundur të shpëtojë nga thika e sulmuesve, që sipas tij ishin të shumtë, 10-15 vetë. Pavllo Mihali thotë se djali i tij nuk kishte asnjë njohje me sulmuesit e tij.

“E vërteta është sipas organeve të policisë. Për Marvin shkruajnë shokët e vet të shkollës, si djalë model dhe shembullor. Grupet e gangsterëve i ranë me thikë duke i çarë aortën, ata ishin 10-15 veta, kurse djali im ishte vetë i dytë. Marvi nuk i njihte. Një shok i Marvit ja kishte shitur vagabondëve celularin. Shoku thërret Marvin nga lokali. Marvi nuk u përfshi në sherr, 3 grupet erdhën dhe i sulmuan këta të dy. Marvit ja ngulën thikën!”, rrëfen babai i djalit të vetëm, të cilit iu pre jeta në dysh.

Autori dyshohet se e ka hedhur thikën në Lanë, ndërsa policia ushtroi kontrolle në mëngjes herët por pa mundur të gjejë armën e krimit. Katër të rinjtë e vënë në pranga akuzohen për “vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”.

22-vjeçari u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës, por fatkeqësisht ai nuk mundi t’i përballonte dot plagët e marra.

Sipas babait të tij, të riut i është prerë aorta, e cila është edhe shkaku që i riu ka humbur jetën. Ndërkohë, ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur rreth orës 23: 30 të së hënës.

Ngjarja

Një 22-vjeçar ka mbetur viktimë i një sherri banal të nisur mes të rinjsh në Tiranë. Shitja e një aparati celular dhe mosdhënia e karikuesit të tij, është shkaku i vdekjes së djalit të vetëm të atletit Pavllo Mihalit, Marvi Mihali. Ky i fundit është përfshirë në sherrin e hapur mes dy grupeve të rinjsh. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se shoku i Marvi Mihalit i kishte shitur 19-vjeçarit, Dejvid Bitraj, një aparat celular.

Të rinjtë debatojnë ashpër me njëri-tjetrin pasi shoku i viktimës nuk i kishte dhënë karikuesin. Mes të rinjve ka nisur një sherr i ashpër dhe viktima, 22-vjeçari është thirrur për ndihmë nga shoku i tij. Konflikti i tyre ishte tepër i ashpër dhe 19-vjeçarit i vijnë në ndihmë kushërinjtë e tij më të mëdhenj. E më i madhi mes kushërinjve, Eugen Bitraj, 24 vjeç nxjerr thikën dhe e qëllon disa herë Mihalin duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa, sipas Policisë 3 autorët largohen nga vendngjarja, thikën e hedhin në lumin Lana. Pak orë pas ngjarjes policia arreston autorin e krimit Eugen Bitraj dhe tre bashkëpunëtorët e tij, Dejvi Bitraj, 19 vjeç, Kridens Alla, 19 vjeç, Marsel Alla, 23 vjeç.