I kafshoi të dashurën shtatzënë, Denisi vret me kallashnikov qenin pitbull, ja dënimi i Gjykatës

Gjykata e Tiranës ka dënuar me burg një 30­ vjeçar të akuzuar si autorin e vrasjes me një armë kallashnikov të një qeni pitbull. Ngjarja ka ndodhur në prill të vitit të kaluar, në një nga lagjet e kryeqytetit.

Sipas vendimit të Gjykatës, i riu ka qëlluar me armë ndaj kafshës, me pretendimin se më herët ai i kishte kafshuar të fejuarën shtatzënë. I akuzuari si autor i kësaj ngjarjeje është Denis Lala.

Ai u deklarua fajtor për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “shkatërrimit të pronës me mjete të tjera”. Referuar vendimit të shpallur disa ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, Lala u dënua me 2 vjet heqje lirie. Ai është gjykuar në mungesë në Gjykatën e Tiranës.

“I pandehuri Denis Lala në komunikimin që kemi pasur me të ka shprehur pendim të thellë për veprimin e kryer dhe ka mbajtur qëndrim pohues ndaj akuzës. Siç ka rezultuar dhe ngjatë shqyrtimit gjyqësor, nga aktet dhe provat e administruara, arsyeja për të cilën ka ndodhur ngjarja, ka qenë fakti se qeni i racës pitbull i ka kafshuar të fejuarën, për të cilën sapo kishte mësuar që ishte shtatzënë dhe nga tronditja ka rrezikuar fëmijën. Kjo ngjarje ka shkaktuar tronditje të rëndë te Denis Lala”, citohej pretendimi i mbrojtjes në vendimin e Gjykatës.

NGJARJA

Referuar vendimit të Gjykatës, më datë 24.04.2016, rreth orës 13:30, në rrugën “Sitki Cico”, në afërsi të një shkolle, në Tiranë, në një rrugicë pa dalje është afruar një automjet tip veturë e markës “BMW”.

Drejtues i saj ka qenë shtetasi Denis Lala dhe pasagjerë në të njëjtin mjet kanë qenë shtetasit G. Ago, J. Fejzullah dhe E. Llagami. Pasi kanë marrë kontakt me shtetasin R. Cela, e kanë pyetur nëse kishte apo jo ndonjë qen të racës pitbull.

Ky shtetas, duke kujtuar se këta persona po interesoheshin për qenin, ose donin të blinin ndonjë këlysh të këtij qeni race, e ka nxjerrë jashtë shtëpisë për t’ua treguar dhe po e mbante pranë vetes duke e përkëdhelur. Në këtë moment shtetasi Denis Lala ka marrë në pjesën e pasme të automjetit me të cilin kishte ardhur së bashku dhe me personat e sipërcituar, një armë automatike model 56, me të cilën ka shtënë disa herë me breshëri në drejtim të qenit, duke e lënë të vrarë përtokë në rrugicë.

Po ashtu ka marrë dëmtim të lehtë në pjesën e këmbës së djathtë, poshtë kërcirit, shtetasi V. Rrjolli, si dhe dëmtime të papërfillshme, një gërvishtje të lehtë shtetasi F. Koço. Pasi ka kryer këtë veprim, shtetasi Denis Lala së bashku me personat e tjerë është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, me mjetin e tij së bashku me J. Fejzullën, kurse dy të tjerët G. Ago dhe E. Llagani janë larguar në këmbë, me vrap, në dy drejtime të ndryshme. Sipas vendimit, në vendin e ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës 12 gëzhoja të modelit 56.

ARSYETIMI I GJYKATËS

Trupi gjykues i çështjes ka vlerësuar se i pandehuri ka konsumuar plotësisht elemente të veprës penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe atë të “shkatërrimit të pronës me mjete të tjera”, duke theksuar se shkaku i kryerjes së veprës penale është tronditja e thellë e të pandehurit.

“Fajësia e të pandehurit në kryerjen e veprës penale që i atribuohen rezultoi e provuar plotësisht nga të gjitha provat e administruara nga gjykata në seancë gjyqësore dhe këtë fakt e ka pohuar edhe vetë i pandehuri në aktet e hetimit të çështjes dhe në gjykim. Motivet nuk kanë rëndësi, por mbahen parasysh nga gjykata në caktimin e llojit dhe masës së dënimit”, shprehej gjykata në vendim./ Panorama.al