“I forti” me BMW i vë armën në kokë 23-vjeçarit, si u shmang tragjedia në Cërrik

Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Cërrikut ditën e djeshme pas një konflikti banal të ndodhur në rrugë. Ka qenë i arrestuari Liars Alisha, ai që një ditë më parë, në lagjen numër 2 në Cërrik, ka kërcënuar me armë 23-vjeçarin A.K.

Gjithçka ka nisur pas një sherri banal mes dy të rinjve, ndërsa situata ka dalë jashtë kontrollit dhe Alisha i ka vënë pistoletën në kokë 23-vjeçarit.

Më pas, në aksin Cërrik – Belsh, në afërsi të një karburanti duke drejtuar mjetin tip “BMË” me targa AA 231 ML, i pa pajisur me leje drejtimi, Liars Alisha është përplasur me mjetin tip “Benz” me targa BH 360 HT drejtuar nga A.K.

Si pasojë është aksidentuar drejtuesi i mjetit tip “BMË” dhe pasagjeri i tij shtetasi L.F., 27 vjeç banues në Cërrik. Të dy ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin Kirurgjik Elbasan, jashtë rrezikut për jetën.

Alisha akuzohet për “Shkelje të Rregullave të Qarkullimit Rrugor”, “Drejtimi i automjetit pa dëshmi”, “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.