I dobët por me bark? Ja nga çfarë rrezikohesh

Barku është një pjesë e trupit shumë e rëndësishme për shëndetin e njeriut.

Nëse ke bark, edhe pse je i dobët, kjo do të thotë se je i rrezikuar nga sëmundje të rënda më shumë sesa një person obez.

Rrezik dyfish për vdekje

Një studim i publikuar në “Annals of Internal Medicine” ka treguar se sasia e tepërt e dhjamit në zonën e barkut, edhe nëse personi është i dobët, mund të jetë “vrasës”. Të qenët obez rrit mundësinë e atakut kardiak, iktusit, diabetit apo kancerit, por studimi i fundit ka treguar se meshkujt me bark të madh kanë dyfish rrezik të preken nga këto sëmundje. Ndërsa për femrat me bark, rreziku është 1.5 herë më i madh se sa për ato obeze.

Të dobët, por me bark

Mjekët thonë se njerëz me tregues normal të masës trupore mund të kenë sasi të madhe të dhjamit në zonën e barkut. Ata theksojnë se për të shmangur një problem të tillë duhet ndjekur një dietë e shëndetshme ushqimore, zakonisht sugjerohet ajo mesdhetare, duhet bërë aktivitet i rregullt fizik dhe duhet shmangur stresi.

Si ndikon dhjami në zonën e barkut?

Çfarë është ajo që e bën dhjamin në zonën abdominale kaq të rrezikshëm? Ndryshe nga dhjami që depozitohet në pjesën anësore të belit, dhjami i barkut është i një lloji tjetër. Ai penetron në thellësi të trupit dhe mbështjell organet vitale. Mëlçia e merr këtë sasi dhjami dhe e transformon në kolesterol, i cili përcillet në gjak dhe fillon të depozitohet në arterie. Sasia e madhe e kolesterolit në enët e gjakut e rrit mundësinë e infarktit apo iktusit.

Kjo sasi e madhe dhjami mund të ndikojë në shfaqjen e diabetit të tipit 2 apo edhe sëmundjeve të tjera. Ai rrit nivelet e glukozës dhe redukton masën muskulore.