I arratisuri nga burgu i Greqisë ndodhet në Kosovë?

I shumëkërkuari nga autoritetet greke, shtetasi shqiptar Faton Sylaj, dyshohet se po fshihet në Kosovë. Menjëherë pasi u arratis bashkë me 10 shqiptarë të tjerë nga burgu i Trikalas në Greqi, sipas policisë greke, Sylaj ka arritur të hyjë në territorin e Kosovës.

Kështu raporton e përjavshmja greke, “Real News”.

Pavarësisht këtyre raportimeve, autoritet greke nuk kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.

Rrjedhimisht Policia e Kosovës nuk është në dijeni se i arratisuri i burgjeve greke ndodhet në Kosovë.

Kështu thotë Baki Kelani, Zëdhënës i Policisë së Kosovës.

“Është problem të kërkohet ndihmë kur një person nuk rezulton si i kërkuar nga organet e ndonjë shteti”, thotë Kelani, duke shtuar se në raste të tilla policia vepron pasi që personi të figurojë në listën e Interpol’it.

Të njëjtën përgjigje kanë dhënë edhe zyrtarët e EULEX’it, kur janë pyetur nga Gazeta Express.

Sidoqoftë deri më tash, as emri e as fotografia e Faton Sylajt nuk ndodhet në listën zyrtare të personave që po kërkohen nga policia.

Të 11 të burgosurit, të gjithë shtetas shqiptarë, u arratisën nga burgu i Trikalas, 320 kilometra në veri-perëndim të Athinës, me 23 mars të këtij viti në orët e para të mëngjesit. Të gjithë ishin të dënuar për grabitje dhe vjedhje.

Sipas policisë, Sylaj për të cilën thuhet se fshihet në Kosovë, akuzohet për të paktën 30 grabitje me armë në Korfuz, Igumenica dhe zona të tjera të Greqisë perëndimore.

Sylaj, thuhet se ka qenë iimplikuar në grabitjen e banesës së Argita Malltezit, vajzës së kryeministrit Sali Berisha, në Tiranë. Siç bën të ditur e përjavshmja greke “Real Neës”, grabitja kishte ndodhur më 22 tetor 2005 dhe policia shqiptare kishte identifikuar shenjat e gishtërinjve të dy personave, njëri prej tyre, gjithmonë sipas gazetës greke, ishte Fatos Sylaj, i datëlindjes 1982, i cili para tre muajsh u arratis me dhjetë bashkatdhetarë të tjerë të tij nga burgu i Trikalas në Greqi.

Për vjedhjen që ndodhur në vitin 2005 në banesën e çiftit Malltezi, sipas citimeve të policisë greke, hajdutët kishin hyrë nga pjesa e prapme dhe thuhet se u morën sasi të konsiderueshme parash dhe bizhuteri.