Hitzfeld: Botërorin e fitoi Bundesliga

0Me shpalljen e Gjermanisë kampione e botës ka ardhur edhe momenti i reflektimit, komenteve e opinioneve për atë ç’ka ndodhi në Brazil.

Me shpalljen e Gjermanisë kampione e botës ka ardhur edhe momenti i reflektimit, komenteve e opinioneve për atë ç’ka ndodhi në Brazil. Kështu ish trajneri i Bayernit dhe Dortmundi, Ottmar Hitzfeld mendon se ishte Bundesliga fituesja e vërtetë e Botërorit 2014, duke patur parasysh ndër të tjera se lojtarët e kampionatit gjerman shënuan më shumë se të tjerët.

“Në këndvështrimin tim ka një fituese në veçanti dhe kjo është Bundesliga. Futbollistët që luajnë në Gjermani në përgjithësi patën një paraqitje fantastike, duke u bërë të paarritshëm nga yjet e kampionatit spanjoll apo anglez”.

Në 11-shen e FIFA-s për lojtarët më të mirë të Botërorit, 6 ishin nga klubet gjermane, 5 prej të cilëve vetëm nga Bayerni. Për ish teknikun e Zvicrës, në Brazil bavarezët e çuan edhe më lart flamurin e tyre.

“Në këtë Kupë Bote kishte lojtarë nga Bayerni më shumë se në çdo edicion tjetër. Gjithsesi nuk ishin vetëm gjermanët që shkëlqyen. Hidhini një sy holandezit Arjen Robben, Van Buyten te Belgjika apo Xherdan Shaqirit te Zvicra”.

Në përfundim të intervistës, Der General nënvizoi se skuadra e Joachim Low e meritoi kurorën e kampiones së botës, pasi nuk kishte asnjë ekip tjetër që t’i afrohej nivelit të gjermanëve.