Historia rrëqethëse e bomberit shqiptar, si përfundoi në punëtor ndërtimi

loading...

loading...

Historitë prekëse të lojtarëve shqiptarë që luajnë dhe zhvillojnë lojën e bukur të futbollit mes mijëra sakrificave nuk kanë fund. Sidomos në kategoritë inferiore sakrificat dhe vuajtjet janë më të mëdha për shkak të buxheteve të pakta që këto ekipe kanë.

Një ndër sulmuesit më të talentuar që ekipi i Domosdovës ka pasur, Olsi Beqo, golashënuesi i skuadrës në këto sezonet e fundit, është detyruar të emigrojë drejt Gjermanisë për arsye ekonomike dhe për një jetë më të mirë pasi rroga si futbollist nuk i jepte shpresë për asgjë.

Prej disa ditësh, Beqo gjendet në Gjermani ku ka gjetur një punë të re në një kantier ndërtimi dhe për të sporti do të ngelet një ëndërr e bukur në sirtar që nuk mund të marrë jetë dhe të zhvillohet në Shqipëri.

HISTORIA

22-vjeçari e nisi futbollin që i vogël me ëndrrën që një ditë të bëhej lojtar i rëndësishëm. Shumë idhuj, dëshira dhe mbi të gjitha pasion, Beqo ia doli që shumë shpejt të bëhej një lojtar i rëndësishëm për ekipin e vendlindjes, Domosdovën. Por, pas shumë sezonesh që dha për këtë skuadër duke qenë goleadori kryesor, tashmë është detyruar të ndërpresë ëndrrën në mes.

Me një pagesë modeste jo më shumë se 250 mijë lekë të vjetër në muaj, Beqo e kishte të pamundur për të sakrifikuar pa fund. “Një rrogë futbollisti në Kategorinë e Dytë nuk del për asgjë në ditët e sotme, ndaj kisha menduar prej kohësh të emigroja për një jetë më të mirë.

Në Gjermani kam gjetur një punë të mirë në një kantier ndërtimi, paguhem mirë dhe shpresoj të eci përpara këtej, pasi në Shqipëri me futboll nuk mund ta bëja. Ishte një vendim i detyruar duke parë rrethanat në të cilat bëhet futbolli në vendin tonë. Sidomos në Kategorinë e Dytë është shumë e vështirë që të luash dhe të sigurosh mbijetesën njëkohësisht.

U detyrova ta bëja një hap të tillë, pavarësisht se futbolli është pasioni im më i madh. Shpresoj që një ditë të kthehem sërish në fushën e blertë”, deklaroi sulmuesi Beqo në prononcimin e tij.

Si Beqo janë edhe disa dhjetëra futbollistë të tjerë që militojnë me ekipet e tyre në kategoritë inferiore dhe që nga viti në vit largohen si emigrantë drejt shteteve europiane. Kategoria e Dytë është një nivel gjysmë amator dhe gjysmë profesionist. Pagesat janë shumë të vogla, në një kohë që në shumicën e rasteve, futbollistët bëjnë edhe punë tjetër për të siguruar mbijetesën./

loading...