Historia e Pablo Escobar, lordi më i madh i drogës në histori

loading...

pablo

loading...
Pablo Escobar, emri i plotë i të cilit është Pablo Emilio Escobar Gaviria lindi në qytetin industrial Medejin të Kolumbisë në 1949. Bir i një fermeri dhe një mësuese të shkollës fillore, Pablo e filloi karrierën e tij kriminale në moshën 14 vjeçare duke vjedhur gurët e varrit nga varrezat e qytetit dhe duke i shitur ato. Në moshën 16-vjeçare filloi të pinte marihuana dhe të vidhte makina, 17 vjeç filloi të merrej me shpërndarjen e marihuanës , ndërsa 18 vjeç kreu vrasjen e parë.
Në fund të viteve ’70 Pablo filloi të merrej me transportimin e pastës së kokës nga malet e Andeve në laboratorët e Medejin ku pasta e kokas kthehej në kokainë. Pasi asgjësoi një nga trafikantët më të mëdhenj të qytetit, Escobar u morr vetë personalisht me trafikimin e kokainës. Oreksi i Amerikës për kokainë, në fund të viteve ’70, fillim të viteve ’80, çmimi mjaft i lartë i kokainës ( 35 000$ kilja) dhe lehtësia e transportimit të saj në SHBA, e shndërruan Escobarin në një nga trafikantët më të fuqishëm të qytetit. Escobar përdori aeroplanë të vegjël të tipit “Cesna” për transportimin e drogës nga Kolumbia në Bahame, ku kishte ndërtuar dhe një aeroport të vogël mbi një ishull artificial.

Escobari ofroi bashkëpunim trafikantëve të tjerë të qytetit Medejin, vëllezërve Ochoa, duke ndarë me ta shpenzimet e shpërndarjes, rrjetin e trafikimit në kolumbi dhe SHBA, fitimet dhe riskun e kapjes së “ngarkesave” nga dogana amerikane dhe policia. Kështu u krijua i ashtuquajturi Karteli i Medejin, një nga kartelet më të fuqishme në Kolumbi dhe në botë në trafikimin e kokainës. Në moshën 32 vjeçare Pablo Escobar fitonte 500 mije $ në ditë nga trafikimi i kokainës, ndërsa 3-4 vjet më vonë kjo shumë do të shndërrohet në 1 milion $ në ditë.
I gjendur nga një vjedhës gurësh të varreve dhe makinash në një milioner, Pablo Escobar bleu pasuri të mëdha në Kolumbi dhe në Karaibe. Një nga rançot e tija, Hasienda Napoles, kishte vlerë 63 milionë $, ndërkohë që zotëronte një flotë të tërë helikopterësh, aeroplanësh, makinash fuoristrada , një kopsht zoologjik personal me kafshë nga gjithë kontinentet dhe disa mijëra hektarë tokë në Kolumbi. Në qytetin e tij të lindjes, Medejin, Escobari bleu një stadium futbolli, një skuadër futbolli, organizoi disa skuadra të ligave të reja të bejsbollit, një gazetë lokale. Escobar dhe bashkëpunëtorët e tij e konsideronin veten e tyre si “Robin Hude” bashkëkohorë, një “Al Kapone i ri”, ndërkohë që mburrej se zotëronte një prej makinave të Al Kapones. Escobar organizoi një sistem privat social duke shpërndarë rroga dhe pensione, për të ndihmuar të varfrit, ndërtoi rreth 2600 apartamente të reja në një lagje të Medejin, lagje që sot e kësaj dite quhet “Pallatet Pablo Escobar”.

Përveç trafikimit të kokainës, Pablo Escobar ishte dhe një kriminel i paskrupullt dhe i pamëshirshëm. Duke përdoru moton “Argjendin ose plumbin”, Escobar u jepte ryshfete të majme policëve dhe gjykatësve që pranonin të bashkëpunonin me të. Në rast kundërshtimi, “të pakorruptuarit” gjendeshin të vdekur ose me “gravatën kolumbiane”- ( shpikje e Escobar) ose me një plumb mbas qafe.
Por megjithëse kishte kaq shumë para, pasuri dhe famë, Pablo Escobar nuk ishte i kënaqur. Ai synonte të merrej me politikë dhe ëndërronte të bëhej president i Kolumbisë. Pablo gëzonte popullaritet të madh në shtetin e tij të lindjes (Antioquia) dhe në vitin 1983 u zgjodh si kongresmen në parlamentin kolumbian. Kongresmeni i vjetër kolumbian Rodrigo Lara Bonija në një debat të zjarrtë në parlament kritikoi Kongresin kolumbian që lejoi një trafikant ilegal kokaine të zinte ofiq qeveritar. Si pasojë e këtij debati, Pablo Escobar u rrëzua nga posti i kongresmenit në 30 prill 1984. Bonija u ekzekutua nga njerëz të Pablo Escobar si raprezalje për deklaratat e tija.

Ishte momenti kur Pablo Escobar i shpalli luftë shtetit të Kolumbisë.
Vrasja e Bonijas, bëri që qeveritarët kolumbianë me në krye Presidentin Belisario Bentakur, të merrnin masa të rrepta ndaj trafikantëve të kokainës. U krijuan një repart i veçantë policie me në krye kolonelin Hugo Martinez, (i ngjashëm me RENEAN shqiptare) me qellim special për të luftuar trafikantët si Pablo Escobar dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërsa zyrtare të lartë kolumbianë deklaruan se po të kapeshin, trafikantët e kokainës do të ekstradoheshin në SHBA për tu gjykuar. Përgjigja e Pablo Escobar erdhi nëpërmjet dy sulmeve me bomba me telekontrol, e para kundër drejtorit të përgjithshëm të Policisë Federale kolumbiane, e dyta ndaj shefit të skuadrës speciale antinarkotik para ndërtesës së Policisë në Bogota. Në bombën e parë u përdorën 150 kg dinamit, ndërsa në të dytën 250 kg. Numri i viktimave rreth 80 të vrarë dhe 700 të plagosur në të dyja sulmet, por të dy shefat e policisë i shpëtuan vdekjes për qime. Duke rritur presionin rreth Pablo Escobar, policia arriti të asgjësojë disa bashkëpunëtorë të Escobar në 1986. Qeveria kolumbiane kërkoi ndihmën e qeverisë amerikane për këtë çështje. Skuadër speciale e CIA-s që merrej me përgjimet e telefonave u mor me përgjimet dhe hartimin e strukturës së organizatës së Pablo Escobar, ndërsa komando të “Delta Force” trajnonin skuadrën kolumbiane antinarkotik. Për kundërpërgjigje, Escobar pagoi guerrilas të armatosur majtistë të fraksionit FARC të sulmonin Pallatin e Drejtësisë në Bogota. Gjatë këtij rrethimi u vranë 90 vetë, midis të cilëve dhe 11 nga 21 gjyqtarët e lartë të Kolumbisë, ndërkohë që dogjën të gjitha dosjet e kriminelëve të ishin kandidatë për ekstradim në SHBA.

Por terrori i ushtruar nga Pablo Escobar nuk ndaloi këtu. Në vitin 1989, vit zgjedhjesh në Kolumbi, Escobar ekzekutoi 3 nga pesë kandidatët për President të Kolumbisë gjatë fushatës elektorale, ndërsa në nëntor të vitit 1989, Pablo hodhi në erë aeroplanin e kompanisë Avianca duke vrarë 107 persona në bord. Atentati  ishte drejtuar nënpresidentit kolumbian Gaviria, i cili nuk hipi në të në momentin e fundit.
I gjetur nën presionin e skuadrës antitrafik të kolonelit Martinez, Escobar deklaroi se do ti zhbënte ata brenda 1 jave. Por asnjë nga 600 policët që përbënin skuadrën speciale anti-Escobar (Search BlocK) nuk u vra. Për reprezalje Escobar ekzekutonte përditë në Medejin policë të thjeshtë. Brenda dhjetorit 1989, 60 policë të thjeshtë që nuk kishin të bënin fare me skuadrën antitrafik të Martinezit, u vranë nëpër rrugët e Medejin. Çmimet e vëna në kokën e çdo polici ndryshonin sipas gradës së tyre!!!!!

Megjithatë fshehurazi, Escobar bënte negociata me qeverinë kolumbiane për tu dorëzuar sipas kushteve të tij. Për këtë përdorte intelektualë, ish kongresmenë, priftërinj të cilët i kishte rrëmbyer. Pablo Escobar e gjunjëzoi shtetin kolumbian.
Kushtet e Pablos ishin:
1) Ndryshimi i kushtetutës kolumbiane dhe heqja e ligjit për ekstradim në SHBA
2) Shpërndarja skuadrës antitrafik(Search Block) e kolonelit Martinez
3) Pablo do të burgosej në burgun që do të ndërtonte vetë.

Pasi u pranuan këto kushte, Pablo u dorëzua ditën që nga Kushtetuta kolumbiane u hoq ligji për ekstradim në SHBA. U ngujua në një “burg” të ndërtuar prej tij në periferi të Medejin, të ashtuquajturin “La Catedral”. “Burgu” kishte brenda xhakuzi, një sallë diskoje, disa dhoma gjumi për Pablon dhe truprojat e tij, ndërkohë që Pablo vazhdonte trafikun i mbrojtur nga konkurrentët brenda territorit të “burgut”. Rojet qeveritare të armatosura deri në dhembë në fakt ishin për të mbrojtur Escobar nga konkurrentët e jashtëm, ndërsa truprojat e Pablos e mbronin atë brenda mureve të “La Catedral”. Padyshim që Pablo dilte për “pushime” sa herë ti donte qejfi nga burgu, ndërsa nuk mungonin përditë prostitutat që kënaqnin Pablon dhe bashkëpunëtorët e tij.
Megjithëse iu plotësuan kushtet, Escobar i bëri një atentat të dytë kolonelit Martinez, atentat që dështoi. Trafikimi i kokainës vazhdoi dhe gjatë kohës që Pablo ishte në “burg”, madje arriti deri aty sa të ekzekutonte brenda burgut tre bashkëpunëtorë të tij që ai dyshonte se e vidhnin.
Kur u mor vesh vrasja e tre vetave brenda mureve të burgut, ministri i Drejtësisë së Kolumbisë vendosi ta çojë Pablon në një burg prej vërteti. Ky vendim u mor vesh nga Pablo, i cili arriti të rrëmbejë për 2 ditë zv/ministrin e drejtësisë që kish shkuar në “La Catedral” ti komunikonte vendimin. Pablo u “arratis” nga burgu duke i shpëtuar ndjekjes së një brigade të tërë të ushtrisë kolumbiane(!!!)( shqip të themi doli jashtë duke ecur si zotni) dhe kaloi në ilegalitet.
Pas dy ditësh i dërgoi qeverisë dhe popullit kolumbian se do të pranonte të rikthehej në “La Catedral” në paqe -megjithëse qeveria i kishte shkelur kushtet e vëna prej tij, por vetëm nëse roje të burgut kësaj radhe do të ishin jo policë kolumbianë, por ushtarë të OKB!!!!!
Natyrisht që këto kushte nuk u morën parasysh, qeveria kolumbiane kërkoi dorëzimin e tij pa kushte dhe riktheu në detyrë kolonelin Martinez, ndërkohë që ftoi përsëri skuadrën Centra Spike të CIA-s dhe “Delta Force” të fillonin ndjekjen e Escobar në bashkëpunim me skuadrën antitrafik kolumbiane të rikrijuar (Search Block).Qeveria kolumbiane ndryshoi legjislacionin e kushtetutes duke lejuar trupa të huaja (amerikane) të merrnin pjesë në operacione anti-Escobar.
Kështu pra në vitin 1992, fshehur në xhunglat e Kolumbisë dhe në getot e Medejin ku shihej si hero, Escobar rifilloi fushatën e terrorit. Por kësaj rradhe nuk kishte të bënte vetëm me Search Block-un kolumbian, Centa Spike e CIA-s dhe “Delta Force” te USMC (United States Marine Corps) por dhe me një organizatë të re kolumbiane të krijuar nga persona të persekutuar nga Pablo Escobar dhe konkurrentë të tij- LOS PEPES. LOS PEPES në spanjisht është akronim pë “Populli i përsekutuar nga Pablo Escobar” përbëheshin nga njerëz të thjeshtë ish të afërm të viktimave të Pablos dhe ishin të armatosur më para të financuara nga karteli rival i Kalit( qytet në Kolumbi) si dhe të informuar për strukturën e Kartelit të Medejin nga njerëz të kolonelit Martinez të Search Block, por dhe agjentë te CIA-s. Duke pasur liri veprimi të pakufizuar nga ligji meqë nuk ishin organizatë qeveritare, Los Pepes vepronin me metodat e skuadrave të vdekjes duke ekzekutuar publikisht të afërm, avokatë , bashkëpunëtorë të Pablo Escobar. Menjëherë mbas shfaqjes së Los Pepës në skenë, u hodhën në erë një pallat 5 katesh në qendër të Bogotas –pronë e të ëmës së Pablos , prona ëe konfiskuar a të Pablos, disa ranchovë të tij iu vu zjarri, makina të tij luksoze u bënë shkrumb e hi, si dhe u lanë në gjak pjesa më e madhe e të afërmve dhe të bashkëpunëtorëve të Pablo Escobar.

Los Pepes nuk kursyen as avokatët e Pablos të cilët i masakruan së bashku me fëmijët e tyre. Nuk kursyen gjithashtu as bashkëpunëtorët e e Pablos në qeverinë kolumbiane si ish drejtorin e Policisë Kombëtare kolumbiane, Karlos Kasadiegon, bashkëpunëtor i deklaruar i Pablos. Kështu gjithnjë e më shpesh, bashkëpunëtorë të Pablos ose dorëzoheshin tek policia kolumbiane e Martinez, ose gjendeshin të vdekur me një tabelë të nënshkruar rreth qafës ku shkruante: “Los Pepes. Ky është bashkëpunëtor i Pablo Escobar. Pablo së shpejti do të jetë rradha jote!”
I ndjekur nga policia kolumbiane, CIA, Los Pepes, Pablo Escobar humbi aksesin në paratë cash, nuk pranonte njeri të bashkëpunonte me të dhe aq me tepër tanimë ishte i frikësuar për jetën e familjes së tij, gruas Maria Viktoria, djalit të vet 16 vjeçar Huan Pablo dhe vajzës së tij 5 vjeçare Manuela. Me makinacione të ndryshme ai u nxorri fëmijëve një vizë amerikane për ti dërguar në Majami të ishin të mbrojtur. Por në aeroportin e Bogotas, gruaja dhe fëmijët u kthyen nga qeveria kolumbiane mbrapsht sepse ambasadori amerikan Morris Busby i kishte konsideruar vizat e fëmijëve të parregullta pasi ishin nxjerrë pa praninë e të dy prindërve të tyre ( pasi ishin poshtë 18 vjec). Një përpjekje e dytë e Pablos për ti dërguar fëmijët dhe gruan në Gjermani, dështoi, pasi qeveria gjermane i riktheu ata mbrapsht nga aeroporti i Dortmundit ku arritën. Të demoralizuar, Escobarët u vendosën në një hotel luksoz në Bogota, hotel i cili ishte boshatisur nga frika se Los Pepes do ta sulmonin për të vrarë fëmijët e Pablos.

I demoralizuar, i frikësuar dhe duke ndërruar banesë çdo 3-4 orë, Pablo Escobar u bë i pakujdesshëm duke folur me orë të gjata në telefon me të birin për ta mësuar atë se si e kërkonte mbrojtjen nga presidenti Gaviria. Një nga këto telefonata u kap nga oficerë të Search Block, që gjetën kështu burimin dhe adresën ku gjendej Escobar. Duke vepruar me shpejtësi, oficerë të Search Block, të ndihmuar nga snajperë të CIA-s rrethuan banesën ku gjendej Escobar. Pas disa shkëmbimesh zjarri për disa minuta, Pablo Emilio Escobar Gaviria ra i vdekur i goditur me tre plumba, dy në këmbë dhe një mbrapa veshit të djathtë. Djali i kolonelit Martinez, anëtar i Search Block, ngriti grushtin lart duke thirrur: “Rroftë Kolumbia, Pablo Escobar vdiq!”
Kështu përfundoi jeta e kriminelit më të madh të të gjitha kohërave, të njeriut i cili i shpalli luftë të hapur shtetit të Kolumbisë, që e gjunjëzoi atë. Pablo Escobar ka vrarë me dorën e tij mbi 100 persona dhe është përgjegjës për vrasjen e mijëra të tjerëve dhe plagosjen e disa mijëra të tjerëve. Në ceremoninë e varrimit, e cila ishte madhështore, mijëra vetë, të varfër nga rrethinat e Medejin e shoqëruan trupin e kriminelit në varreza.

Dhe sot e kësaj dite varri i tij nderohet si hero popullor në getot e Kolumbisë është i mbushur me lule, ndërsa familja e tij, gruaja dhe fëmijët kanë kërkuar azil në Argjentinë.

loading...