Higuain në Napoli, pritet vetëm zyrtarizimi

gonzalo

Bomberi Gonzalo Higuain është transformuar në objektivin e parë të trajnerit Rafael Benitez. Drejtuesit e Napolit, duke qenë se e kanë humbur çdo mundësi për të blerë brazilianin Leandro Damiao nga Internacional Porto Alegre, dje kanë paraqitur ofertën e tyre në klubin madrilen.

Bëhet fjalë për 35 milionë euro, shumë kjo që duket se ka tunduar shumë presidentin Florentino Perez, i cili në muajin e fundit ka mbyllur me homologun Aurelio De Laurentis edhe transferimet e Kalejon dhe Albiolit, marrëveshje nga të cilat “galaktikët” përfituan rreth 20 milionë euro. Por edhe mbi këtë ofertë të fundit, spekulohet se Reali i Madridit e ka pranuar çekun e Napolit. Tashmë kanë mbetur për t’u formalizuar vetëm çështjet burokratike mes palëve dhe kontrata financiare me vetë Higuainin, i cili nuk do që të shtojë në kontratë që të drejtat e imazhit të tij të përdoren nga Napoli. Gjithsesi, në orët e ardhshme do të mësohet diçka më e qartë.

Por “mbërritja” e argjentinasit është paraprirë nga blerja më e fundit. Bëhet fjalë për Pepe Reinan, portierin spanjoll të Liverpoolit, që mbërrin në Napoli me formulën e huazimit. Në pritje të firmës, ai që konfirmon akordin është vetë trajneri i të kuqve, Brendan Roxhers. “Po, Reina do luajë te Napoli në sezonin e ardhshëm, duke qenë se ata janë gati t’i paguajnë edhe rrogën e lartë që kanë. Na vjen keq që na duhet të heqim dorë nga një portier si Reina, i cili luan tek ne që në vitin 2005, por jemi të detyruar. Porta e Liverpoolit? Do t’ia besoj Sajmon Minjolet”. 24-vjeçari belg erdhi në radhët e të kuqve pas tri sezoneve te skuadra e Sandërlendit.