Heynckes: Robben dhe Gomez duhet të pranojnë stolin

Gomez-und-Robben

Trajneri i Bayernit të Mynihut, Jupp Heynckes i tregon stolin Mario Gomez dhe Arjen Robben. Sipas shtypit gjerman numri një i stolit të bavarezëve ka theksuar se si Gomez ashtu dhe Roben duhet të mësohen me faktin se nuk janë më titullar të padiskutueshëm. Të dy futbollistët kanë humbur pozicionin e tyre në skuadër, kjo dhe për shkak të dëmtimeve të mëparshme, teksa 67 vjecari Heynckes bën të ditur se për momentin nuk ka ndërmend të ndryshoje formacionin që po rezulton triumfues.

“Të dy ata mund të luajnë pasi janë shumë të motivuar në stërvitje. Ne nuk kemi vetëm 11 futbollistë të formacionit, por kemi 20 futbollistë shumë të mirë. Jam i kënaqur me formën e treguar deri tani. Më vjen keq që nuk mund të luaj me të gjithë futbollistët që kemi, por ata që nuk luajnë duhet të pranojnë stolin. Fitorja e ekipit është prioritet. Nuk do të bëj shumë ndryshime për momentin. Skuadra duhet të vazhdojë përpara e bashkuar në rrugën e fitoreve. Nuk dua të rrezikoj për të tilla gjëra”.

Ndërkohë, transferimi i trajnerit spanjoll, Pep Guardiola, te Bayerni bëri bujë të madhe jo vetëm në Gjermani, por edhe në mediat botërore. Fakti që e gjithë vëmendja u përqendrua tek ish-trajneri i Barcelonës ka ngjallur pakënaqësi si te Jup Heynckes, por edhe te legjendat e Gjermanisë, Franc Bekenbauer dhe Otmar Hicfeld. Dy ish-trajnerët e rekordmenëve, gjatë një interviste për “Sportbild”, kanë dhënë mendimin e tyre për situatën e krijuar, sfumimin e temës “Guardiola”, si dhe u japin kurajë lojtarëve të stolit si Gomez e Robben. Kajzeri bavarez ndërkaq i thur më tepër elozhe lojës së Dortmundit sesa asaj të Bayernit.

“Gara për titull mendoj se mbetet e hapur. Nuk dal dot në përfundime. Rezultatet e Bayernit ndaj Mainzit, Schalkes dhe Wolfsburgut do të jenë vendimtare. E them këtë, pasi i referohem vitit të kaluar kur Dortmundi, edhe pse ishte 8 pikë prapa, arriti të fitojë titullin në fund. Nëse dikush sheh ngjashmëri të lojës bavareze me atë katalanase, unë mendoj se Dortmundi i afrohet më shumë. Ata janë më efikasë në kundërsulm dhe në mbylljen e një aksioni me sukses. Bayerni ka ende vend për përmirësim në këtë pikë”, – nënvizon Bekenbauer, teksa flet më pas për lojtarët e stolit si Robben e Gomez: “Lojtarë të pakënaqur do ketë, por Heynckes duhet ta zgjidhë brenda klubit. Nëse dikush hedh një shashkë, atëherë atmosfera do përkeqësohet”.

Për sa i përket Guardiolës, Kajzeri shprehet: “Respekt për këtë transferim. Guardiola bëri mirë që zgjodhi Bayernin sesa Chelsea. Ne nuk kemi njerëz si Abramoviç dhe as buxhet për të blerë një lojtar si Messi. Mua më shqetëson shumë fakti që flitet shumë për Guardiolën, duke hequr vëmendjen nga puna dhe rezultatet e Jup Heynckesit. Është mirë të flitet për të pasi Heynckes të ketë fituar disa tituj në fund. Fakti që gjithçka shkruhet për Pep, më ka çmendur edhe mua”, – përfundon Bekenbauer. Të njëjtin mendim ka dhënë edhe ish-trajneri Otmar Hicfeld: “E di shumë mirë që Hejnkesit nuk i ka pëlqyer që flitet vetëm për Guardiolën. Të gjithë trajnerët do mërziteshin kur flitet më shumë për pasuesin sesa për aktualin. E rëndësishme është që Bayerni në vitin e lamtumirës t’i dhurojë disa tituj”.

Momentalisht Bayern është në vendin e parë në kampionat me 48 pikë në 19 takime. Në dy ndeshjet e para të vitit 2013, Bayerni ka regjistruar të njëjtin rezultat, 2-0 ndaj Grojter Furth dhe Shtutgart.