Haradinaj: Miratimi i ligjit për amnisti nuk ka pasur alternativë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, partia e të cilit vazhdimisht ka dhënë mbështetjen për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, tha se miratimi i ligjit për amnisti nuk ka pasur alternativë.
Haradinaj tha se Kosova është dashur të dërgojë mesazhe të qarta integrimi për serbët e veriut të Kosovës.
Duke folur për zhvillimet e tjera në skenën politike të vendit dhe mundësinë e koalicioneve, Haradinaj përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.
I pyetur për mundësinë që AAK-ja të bashkëqeverisë me PDK-në në mandatin e ardhshëm, Haradinaj tha se nuk preferon një koalicion të tillë ndërsa tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me LDK-në.
Kryetari i AAK-së tha se po punon maksimalisht për të arritur rezultat sa më të mirë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit derisa u shpreh i bindur se AAK-ja do të arrijë më shumë se rezultati i zgjedhjeve lokale në vitin 2009, kur kjo parti kishte marrë rreth 20 % të votave të elektoratit.