Haradinaj: Kemi dallime të pakapërcyeshme me Vetëvendosjen

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka dhënë shenjat e para se është e pamundshme një marrëveshje me Vetëvendosjen. Ai ka thënë se kanë dallime të pakapërcyeshme me Partinë e Albin Kurtit.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ku është votuar për Kryetar të Parlamentit.

“Unë kam treguar disa herë si ta gjejmë zgjidhjen. E kam parë që i kemi disa dallime ndoshta të pakapërcyeshme. Ideja ime ka qenë që ta bëjmë një dakordim në parime të përgjithshme – ku nuk prishen, ndërsa t’i lihet e drejta Vetëvendosjes që të ketë mendim të ndarë në disa tema. Përndryshe, është e pamundshme për ta gjetur një dakordim të ndërsjelltë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka treguar se Vetëvendosje kishte propozuar dy dokumente të ndryshme në të cilat Vetëvendosje ka pasur dy qëndrime.

“Edhe unë kamë pasur informatë se ka lëvizur për mirë puna mbrëmë dhe sot në mëngjes kam qenë në takim. Megjithatë, ka pasur dy dokumente: për njërin dokument, njëra palë kishte rënë dakord, për tjetrin ishte pajtuar pala tjetër. Nuk mundëm që t’i bëjmë bashkë në një dokument. Në një dokument që na është prezantuar prapë ka qenë i pranueshëm, mirëpo është parë që po punojnë me dy dokumente të ndryshme. Nuk kemi mbërritur ende te kuota, unë kam menduar se duhen dakordime të përgjithshme dhe Vetëvendosje ta kërkojë votën e vetë për qeverisje, mirëpo ende nuk kemi mbërritur tek kuota”, ka shtuar ai.