Haliti: Mjafton ankesa në Kushtetuese

Në Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka ndonjë vendim që të dërgohen argumente të reja në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me kontestimin e seancës konstituive të 17 korrikut.
Blloku LDK-AAK-Nisma dhe deputetët e grupeve tjera i kanë dorëzuar të martën komentet e tyre, kurse Xhavit Haliti, anëtar i kryesisë së PDK-së thotë se nëse ka vendim nga PDK-ja atëherë mund t’i dërgojnë edhe deputetët e PDK-së, por ai thotë se nuk duhet t’i komplikohet puna Gjykatës Kushtetuese
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti në emër të deputetëve të PDK-së pati dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ankesën për seancën konstituive të 17 korrikut. Ai thotë se kjo i mjafton dhe se ai nuk e ka ndërmend të dërgojë komente personale në këtë gjykatë. Sidoqoftë, Haliti thekson se nëse ka një vendim të tillë nga partia, komentet e tyre mund të dërgojnë edhe deputetët e PDK-së.
“Nuk e di, unë sot po e lexoj edhe unë dhe në qoftë se duhet dhe ka vendim, do të thotë merr vendim kryesia e partisë dhe grupi parlamentar, pse jo?”, tha Haliti për Radio Kosovën.
Mediat kanë raportuar se deputetët e PDK-së do t’i dorëzojnë komentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese për seancën e 17 korrikut, si argument shtesë. Haliti thotë se kanë mundësi të bëjnë komente të gjithë deputetët, por ai thekson se nuk do duhej të komplikoheshin angazhimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë rast.

“Ne e kemi bërë gjykatën kushtetuese sikur të jetë prindi i të gjitha problemeve, ose përgjegjës detyrimisht për të gjitha problemet. Mendoj se edhe drejtësia në Kosovë në raport me Gjykatën Kushtetuese ka dështuar duke e quar në Gjykatën Kushtetuese çështjet që kanë të bëjnë me procedurat dhe që mund të shqyrtohen nëpër shkallët tjera të gjykatave të Kosovës”, tha ai.
Çështja e kontestimit të seancës konstituive të 17 korrikut, sipas Halitit është diçka tjetër, por ai thotë se edhe kjo do të mund të zgjidhej pa Gjykatën Kushtetuese ngase janë të qarta edhe Kushtetuta edhe Rregullorja e punës së Kuvendit.
“Gabimet janë bërë dhe ne duhet të shohim se kush ka bërë gabime dhe të rifillojmë negociatat edhe mes partive, sepse unë mendoj se edhe në këtë gjendje dy taborret do duhej të diskutonin se si të tejkalohet kjo situatë dhe mos t’i bllokojmë institucionet e Kosovës”, tha Haliti.
Ndryshe, të martën deputetët e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe të subjekteve tjera i ka dorëzuar komentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar rrëzimin e ankesës së PDK-së, të cilën e quajnë të pabazë. Xhavit Haliti thotë se PDK-ja ka shumë argumente dhe se sipas tij, në seancën e 17 korrikut ka pasur mundësi të veprohet në mënyra më civilizuese dhe më demokratike.