Hajgare me Ligjin e amnistisë

Dilemat rreth Ligjit për amnistinë që buron nga Marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të hiqen përfundimisht gjatë kësaj jave me shqyrtimin e tij para Legjislativit të Kosovës.

Ky Projektligj, i cili tashmë ka marrë bekimin e qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi, pritet që sot (e hënë ) të jetë në shqyrtim para Komisionit për Legjislacion. Ky i fundit vetëm do të merret me strukturën e tij, se si duket, sa nene i ka etj, sepse për kompozicionin, ose atë çka mban brenda, është kujdesur kryeministri serb Ivica Daçiq gjatë takimit në Bruksel me kryeministrin Hashim Thaçi.

Megjithatë reagime dhe shqetësime të ndryshme kanë ardhur nga të burgosurit në Burgun e Dubravës, të cilët tash e sa ditë kanë hyrë në grevë të urisë, sikurse edhe nga shoqëria civile ku shprehen rezervat se mund të jetë ligj diskriminues.

Behxhet Shala, drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, konsideron se tashmë Kosova aktualisht ka projektligj që është bërë kryekëput me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare dhe Beogradit zyrtar, shkruan /LajmeOnline/.

Sipas tij, në asnjë rrethanë nuk është dashur që të lejohet që ky ligj të miratohet në këtë kohë, sepse lë dyshime se po bëhet vetëm për serbët./LajmeOnline/