Guardiola: Shpresoj që Ronaldo të luajë

Pep Guardiola preferon që lojtari më i mirë i Real Madrid të jetë në fushë ndaj Bayern Munchen mbrëmjen e së mërkurës.

“Shpresoj që Cristiano të luajë. Ne luajmë për publikun dhe publiku kërkon të shohë në fushë më të mirët. Por, nëse nuk luan, në vend të tij do të jetë një tjetër. Reali mund të luajë 4-3-3 ose 4-4-2, siç bëri në finalen e Kupës së Mbretit. Kanë lojtarë shumë të shpejtë: Bale, Cristiano, Di María dhe Benzema. Nëse i lë hapësirë, të vrasin”, tha trajneri spanjoll.

Guardiola kurrë nuk ka humbur në stadiumin Santiago Bernabeu, por ai mendon se kjo statistikë nuk ka aspak vlerë: “Statistika ime në Bernabeu është me klub tjetër dhe në një situatë tjetër. Nuk ka lidhje me Bayern Munchen. Duhet të luajmë shumë mirë për të fituar.”

Ish-trajneri i Barcelonës foli edhe për sezonin e parë me Bayern, të kurorëzuar deri tani me titullin kampion në Gjermani: “Ndihem krenar për ekipin tim. Fituam Bundesligën në mars, jemi në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe në gjysmëfinalet e Champions. Nuk është e lehtë. Për më tepër, kemi fituar duke luajtur mirë.”