Guardiola dëshiron Falcaon dhe Suarez tek Bayerni

falcao-suarez-300x193

Gjigantët bavarezë të Bayernit të Mynihut kërkojnë të pushtojmë Europën, pas ardhjes së trajnerit Pep Guardiola. Me taktikën “tikitaka”, si dhe me filozofinë “Mia san Mia” ish-trajneri i Barcelonës pret që të shkruajë historinë me rekordmenët gjermanë. Me ardhjen e tij e gjithë Europa zien, ndërsa të gjithë “yjet” e botës së futbollit nuk do t’i thoshin kurrë “jo” një oferte nga Bayerni.

Në ditët e para të transferimit, mediat spanjolle afronin shumë lojtarë të Barcelonës me bavarezët, ndër të cilët emrat më të përfolur ishin Villa, Diego Alcantara, Maskerano dhe Valdes, si dhe talenti i Santosit, Neymar. Së fundmi u përfol edhe emri i mesfushorit të Malagës, Isko. Mirëpo mediat angleze dhe ato spanjolle kanë zbuluar një tjetër “sekret” të bujshëm të gjigantëve të Mynihut. Teksa pritet që Pep Guardiola të startojë punën më 1 korrik, 4 herë kampionët e Europës duan t’i plotësojnë spanjollit dy dëshirat e tij të hershme: blerja e dy bomberave Luis Suarez dhe Radamel Falcao. Këto cilësohen si dy dhurata për nisjen e epokës së tij me bavarezët.

Ndërkohë, nga burimet e brendshme përflitet se Bayerni ka shprehur interes për sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez. Sipas së përditshmes angleze “Sunday People” është bërë gati një ofertë 47 milionë euro për blerjen e sulmuesit uruguaian. Të besueshëm e bën fakti se agjenti i sulmuesit është vëllai i Pep Guardiolës, Pere. Sipas menaxherit të Suarezit, klauzola për të prishur kontratën me Liverpoolin është 47 milionë euro, po aq sa oferta e bavarezëve. Por, sipas kësaj gazete dhe spanjollëve të “sport.es”, Suarez nuk është i vetmi sulmues. Bomberi kolumbian i Atletico Madridit, Radamel Falcao, është kandidati i radhës në listën e Pep Guardiolës.

“Falcao është një sulmues i jashtëzakonshëm. Sulmuesi më i rrezikshëm në zonën e rreptësisë”, – pati thënë Pep për aftësitë e Falcaos në kohën kur ishte te Barcelona. Të njëjtën gjë pat pohuar edhe për Havi Martinezin dhe Bayerni pagoi 40 milionë euro për ta marrë atë. Nëse blerja nuk do të jetë problem sepse situata financiare e bavarezëve është shumë e mirë, një pengesë e vogël do të jetë shitja e një prej Mario Gomez ose Marios tjetër, kroatit Mandzukic sepse vështirë që dy lojtarët që sot alternohen me njëri tjetrin në sulm të pranojnë të vijë një tjetër sulmues në rolin e tyre.