“Grupit të Kumanovës” në gjykim do t`i bashkëngjiten edhe komandant Haraçina dhe Ragmi Latifi?


Ruajtës i lopëve nga Hasanbegu, zyrtar në komunën e Likovës, vozitës, taksist pa licencë, bujk, punëtor ndërtimor, i papunë dhe pensionist, janë grupi i cili, sipas organeve maqedonase të ndjekjes, ka qenë logjistikë e organizatorëve kryesor të luftës në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Ky grup u arrestua në tetorin e vitit të kaluar në një aksion të policisë të quajtur “Rrufeja”.
Për ta aktakuza ende nuk ka hyrë në fuqi. Këtyre ditëve ka arritur deri te gjykata dhe është dërguar te të akuzuarit. Një pjesë prej tyre, gjatë hetimit të deritanishëm kanë folur, por deri më tani, asnjëri prej tyre nuk ka marrë ofertë ose propozim për marrëveshje, transmeton TetovaSot.
Nëse kjo aktakuzë pranohet, kjo gjë nënkupton se ky grup duhet që të përfshihet në grupin të cilit po i gjykohet.
Nëse gjykata pranon që t`i bashkojë dy lëndët, në atë rast lënda “Lagjja e Trimave” duhet që të nis të hetohet nga fillimi, ndërsa salla ku do të gjykohen do të jetë tepër e ngushtë për t`i mbledhur të gjithë të akuzuarit.
Detyra e këtyre tetë personave ka qenë që ta fshehin armën e vjedhur nga karakolli në Gushincë dhe të organizojnë një futje ilegale të grupit nga Kosova në Maqedoni.
Sipas akuzës e cila ende nuk është në fuqi, në këtë grup gjendet Ibrahim Murtezani, i njohur si komandant Haraçina dhe Ragmi Latifi i cili ka qenë zëvendës i komandant Malishevës, drejtues i grupit që gjuajti ndaj policisë, transmeton TetovaSot.
Në akuzë shkruan se Latifi, armën e vjedhur nga Gushinca e ka fshehur në mal dhe ka organizuar dërgimin e grupit nga Kosova në Kumanovë tek disa shtëpi.
Një ditë para përleshjes, me tre vetura, të akuzuarit i kanë bartur përfaqësuesit e grupit në lagje. Ditën tjetër, me 9 maj, nga shtëpia e Fadil Fejzullahu, ku policia është nisur me një urdhër për kontroll, është gjuajtur një bombë e dorës ku janë lënduar disa policë. Atëherë, nisin luftimet ku u vranë 8 policë dhe u plagosën 37 tjerë.
Prokuroria, pas arrestimit të tyre dhe pritjes së ekstradimit nga Serbia të njërit prej të akuzuarve për terrorizëm dhe organizim terrorist, ka mbledhur dëshmi si uniforma, karta, plumba dhe pushka.
Untitled