Grindjet gjatë pushimeve

loading...

Interesimet e ndryshme, seksi dhe harxhimet e tepërta, mund të shkaktojnë grindje, por vënia e kufijve dhe biseda, qoftë edhe për imtësitë më të vogla, mund t’i parandalojnë grindjet.

Grindjet gjatë pushimeve
loading...

Edhe pse qëllimi i pushimit vjetor është relaksimi nga stresi i përditshëm, grindjet dhe mosmarrëveshjet janë të shpeshta, ku çiftet pranojnë se më së shpeshti grinden rreth përkujdesjes për fëmijët, rreth seksit dhe shëtitjeve.

Pa tema të “rënda”

Ndryshimi i ambientit mund të ndikojë negativisht në lidhje. Java e rëndomtë e punës nënkupton edhe më shumë bisedë rreth punës, derisa pushimet vjetore ofrojnë më shumë mundësi për diskutime rreth planeve jetësore, shpërnguljes, apo lindjes së planifikuar të fëmijës. Temat e tilla janë tepër të rënda, e mund të jenë edhe të dëmshme. Më së miri është që ato t’i lini për një kohë tjetër dhe, thjesht, të relaksoheni.

Radhët e gjata dhe tollovia

Një vend i ri, njerëzit e panjohur, radhët e gjata në dyqane, apo restorant, shkaktojnë stres, ku njerëzit e stresuar shfryhen te ata që i kanë më së afërmi. Gjatë pushimeve, ky zakonisht është partneri. Nervozizmi i panevojshëm mund të evitohet duke pranuar se nuk është e mundur gjithmonë që gjithçka të jetë e përkryer. Relaksohuni dhe kënaquni në një javë pa obligime dhe, në fund të fundit, nuk është se ju ngutet për diku.

Përkujdesja ndaj fëmijëve

Sikur edhe për përdorimin e celularit, po ashtu edhe rreth përkujdesjes së fëmijëve, duhet të merreni vesh. Më së miri është që ta caktoni se çka duhet bërë secili nga ju, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për përgatitjen e lodrave për plazh, apo për përgatitjen e darkës. Mos nënkuptoni asgjë, por thoni partnerit se çka prisni nga ai. Sa më të qartë që të jeni në komunikim, aq më lehtë do të evitoni grindjet e panevojshme.

Evitimi i seksit

Përpos relaksimit, qëllimi i pushimeve vjetore është edhe kënaqësia, por rruga e gjatë dhe lodhja mund të paraqesin pengesë në këtë drejtim. Refuzimi i seksit natën e parë mund ta ofendojë partnerin, prandaj duhet që t’ia bëni të qartë se ende e doni, por se jeni lodhur tepër nga rruga. Lëreni seksin për në mëngjes, apo për mbrëmjen tjetër.

Interesimet e ndryshme

Vizimi i muzeut, apo kënaqja në plazh, kjo është pyetja që shtrohet shpesh. Interesimet e ndryshme shkaktojnë probleme, prandaj duhet më parë të bëni plan dhe t’i përmbaheni atij. Nëse doni që partneri të vijë me ju në ekspozitë, duhet t’ia shpjegoni atij se sa rëndësi ka kjo për ju.

Shopingu dhe harxhimet e tepërta

Pushimet edhe vetvetiu paraqesin harxhime shtesë, kështu që harxhimet e tepërta vetëm sa e përkeqësojnë situatën edhe më shumë. Për këtë shkak, nevojitet që ta bëni një plan paraprak, një buxhet të caktuar apostafat për pushime.

loading...