Greta Koçi merr zyrë në PD, flet për Sali Berishën

loading...

f1_26-gretak1359204839

loading...
Gjithçka ka ndryshuar tashmë në jetën e Greta Koçit, duke filluar nga ritmi i ditës e deri tek rrobat që mban veshur. Shkuam ta takonim në selinë e Partisë Demokratike, ku këngëtarja e dashur ka zhvendosur punën e saj prej disa kohësh. E veshur gjithë shije, me flokët e zeza të hedhura mbi supe, Greta na fton gjithë dashamirësi në zyrën e saj. Është gjatë gjithë kohës e zënë me takime. Madje përpara nesh, kishin shkuar për ta intervistuar gazetarët e një medie vizive. Telefoni cingëron ‘non stop’ dhe Gretës i duhet të koordinojë punën për zgjedhjet që do të mbahen në Forumin rinor të PD-së në Kukës, të nesërmen, shkruan BalkanWeb.

Greta është nënkryetare e FR të PD-së dhe thotë se prej një viti e pesë muajsh ka ndryshuar dita e saj e punës dhe e tërë jeta e saj. “Ka qenë tërësisht ndryshe kur unë mbaja statusin e një artisteje dhe është tërësisht ndryshe sot, falë angazhimit tim në politikë. Tani më duhet të fle vetëm katër-pesë orë në ditë, sepse zgjohem shumë herët në mëngjes dhe përgjatë gjithë kohës jam në takime, në kontakt me njerëz në të gjithë Shqipërinë dhe kur ndodhem në Tiranë, çdo pasdite deri në orët e vona të natës, qëndroj në zyrë tek Partia Demokratike, në takime dhe kontakte të shumta me të rinjtë” rrëfehet Greta.

Ndërkaq, sa i përket marrëdhënieve me kreun e PD-së, Sali Berisha, Greta shprehet se ato janë marrëdhënie pune, shumë korrekte. “Më duhet që për shkak të angazhimit dhe situatave të kontaktoj me të vazhdimisht, pasi më nevojitet pa diskutim edhe këshilla e tij. Natyrisht që nxitja dhe vendosmëria ime për të qenë pjesë e Forumit rinor, për të marrë këtë pozicion që kam sot, ka qenë për shkak të konsideratës, të të pasurit idhull liderin më të madh politik që ka Shqipëria dhe vlerësimi im për kryeministrin. Të them të drejtën, unë e dua shumë dhe e çmoj shumë për karakterin, për familjen e shëndoshë dhe për vlerat e tij si njeri, pasi përpara se të jemi gjithçka në këtë jetë duhet të jemi njerëz…

Berisha është një njeri që i ka sjellë realisht ndryshime vendit. Është një njeri i palodhur dhe mosha nuk ndikon fare në energjinë e tij… Është i jashtëzakonshëm, njerëz si ai i vijnë rrallë kombit”.

Në pyetjen se a i mungon muzika, Greta përgjigjet se e ndjen boshllëkun.

“Projekti im është që të angazhohem seriozisht në politikë dhe këtë po e bëj. Rruga e karrierës në politikë është e qartë. Sigurisht që mendoj të jem në Parlament, por kjo varet nga puna ime, kontributet dhe rëndësinë që zë figura ime në opinionin publik dhe në partinë ku unë bëj pjesë”, përfundoi këngëtarja.

loading...