Greqi, dënim maksimal 5 shqiptarëve të “bandës me kallashnikovë”

f1_15-banda-balline-ne-kronike1363432159

Tiranë, 16 mars – Vendime të rënda ka dhënë gjykata e Athinës për pesë shqiptarë të arrestuar në tetor të vitit 2011 në Greqi, me akuzën për krijimin e organizatës kriminale, përdhunimit, grabitjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjykata shqiptoi dënimin me nga 25 vjet burg për çdonjërin nga pesë të akuzuarit, derisa i gjashti u shpall i pafajshëm dhe një tjetër është ende në kërkim.

Aleksandër Pepa, Ermir Meta, Ervis Meta, Enea Pano e Sokrat Meniko, të cilët u arrestuan në tetor 2011, së bashku me një grek, njihen si “banda e grabitësve me kallashnikovë” dhe ishin bërë tmerri i banorëve të zonës së Atikës.

Si raporton BW, policia dokumentoi 45 grabitje të armatosura që kishin kryer dhe numëron 14 automjete që ata i kanë vjedhur e përdorur për largimin e tyre. Gjatë kontrollit në banesat e të arrestuarve janë gjetur 3 armë tip kallashnikov, karikatorë me fishekë, plumba, predha, një pistoletë, tri nga makinat e vjedhura, çelësa makinash, sasi të vogla marihuane, shkopinj gome, thika, telefona celularë etj. Policia thotë se ekzistojnë raste kur ata, pasi kanë grabitur, kanë abuzuar seksualisht me femrat që gjendeshin në shtëpi.

Sipas një ndryshimi që pritet të bëhet në kodin penal në Greqi, grabitësit që përdorin armë zjarri do të dënohen me burgim të përjetshëm.