Gratë kosovare nuk e dinë çka është 8 Marsi (Video)

8-Marsii-650x358


Mes luleve dhe lumturisë false që zgjat vetëm një ditë, kosovarët mendojnë se 8 marsi është festa e nënës.
Lulet janë dhurata më e shpeshtë këtë ditë. Data 8 mars ka kohë që në Kosovë festohet, e krejt vonë ka nisë të shënohet duke protestuar.

Shumë qytetarë këtë datë ia atribuojmë nënës. Edhe pse ajo është personifikimi i parë i gruas në shoqëri, kjo datë u takon të gjitha grave, jo vetëm nënave.

Por, jo të gjithë e dinë kuptimin dhe historikun e vërtetë dhe emblematik të datës tetë të muajit të tretë.

E simbolikën dhe historikun e Ditës së Gruas, nuk e dinë as vetë gratë, dhe normalisht as burrat.

“8 Marsi simbolizon ditën e nënave. Lulet qitu në shesh i mora për nënën”, tha për Gazetën JNK, Mensure Llapashtica, një qytetare e cila kur u pyet për historikun e kësaj date, tha se nuk e di.

VIDEO-1

As qytetarja Lirdona Husaj nuk di për historikun e 8 marsit, ndërsa edhe ajo thotë se kjo datë “simbolizon festën e nënës”.

Pak a shumë të njëjtin mendim e ndan edhe qytetarja Safete Ahmeti: “8 Marsi është dita e gruas, dita e nënës, për femra…”.

E për zonjën Emine Tahiri, 8 Marsi është simbol i madh, po ashtu duke iu referuar nënës.

“Kjo është festë shumë shumë, kush e din, shumë e madhe për nënën. Është simbol i madh”.

Edhe pse në sheshin “Zahir Pajaziti” ajo shiste buqeta të shumta lulesh këtë ditë, nuk e di saktë domethënien e saj.

“8 marsi simbolizon gratë dhe sa të rëndësishme janë për neve, edhe për nënat edhe për të gjitha”, tha Hana Ramadani, luleshitëse.

A e din historikun? – Jo.

Vllaznim Maloku kishte dal për të blerë lule për vajzën dhe gruan në këtë ditë të vetme, të veçantë, siç e quan ai.

“Lulet i kam ble për çikë, po edhe për grua… Diçka e veçantë, se unë mendoj që kjo është e vetmja ditë që duhet ta respektojmë se është mjaft e veçantë se ne si gjini mashkullore duhet ta respektojmë edhe gjininë e kundërt, në këtë rast 8 Marsin – ditën e gruas”, tha Maloku për gJNK.

VIDEO-2

Ndërsa qytetari tjetër Limon Krasniqi, lule kishte blerë për gruan, por vajzës tha se ia blen i fejuari.

“8 Marsi është dita e grave, është ditë shumë me rëndësi, blejmë lule, vajzat gjithashtu blejnë lule. Çikave jo nuk ju kam ble lule se ajo i blen nënës, e asaj i blen i fejuari”, tha ai.

Por Albareat Maqastena tha se 8 Marsi ka tjetër kuptim, duke shpjeguar se kjo ditë shërben për të ngritur ndërgjegjësimin për barazinë gjinore.

“Nënës duhet me ja kushtua tanë jetën, jo veç një ditë. Ma së shumti për të drejtat e gruas, që n’Kosovë shkelen kogja si shumë, si për hisen e babës, si për dhunën në familje e gjithçka..”

Çka në fakt simbolizon 8 Marsi?

Si ngjarje ka nisur nga lëvizjet socialiste të fillimit të Shekullit XX. Në gusht të vitit 1910, në një konferencë ndërkombëtare të grave, të mbajtur në Kopenhagen të Danimarkës, ishte propozuar që të ketë një ditë ndërkombëtare të gruas.

Ideja e konferencës ndërkombëtare të grave që vazhdoi edhe më pas, ishte që gratë në mbarë botën të kishin strategjitë e tyre për të drejta dhe paga të barabarta me burrat, përfshirë edhe të drejtën e votës e po ashtu edhe të drejtën për të mbajtur poste publike.

Clara Zetkin, udhëheqësja e forumit të gruas në Partinë Socialiste të Gjermanisë, ishte ajo që e propozoi “Ditën Ndërkombëtare të Gruas”.

Dita Ndërkombëtare e Gruas në parim kishte mbrojtjen e pozitës politike dhe ekonomike të gruas.

“8 Marsi është dita ku duhet të ngrihet e gjithë bota të protestojmë për të pas të drejtat e barabarta mes grave dhe burrave”, tha aktivistja për barazi gjinore Igballe Rogova.

Sipas saj, simbolika nuk janë lulet: “Simbolika është protesta, marshimi si sot që ishte e jo lulet”.

Në fakt Dita Ndërkombëtare e Nënës është në maj – kjo varion sipas vendeve të ndryshme – por ekziston edhe Dita Ndërkombëtare e Babait, e cila është në qershor (edhe kjo varion)