Grabitet argjendaria në Shkup, plagoset pronari

plaqkitsi

Pronari i një argjendarie në Shkup sot në mbrëmje është plagosur në dyqanin e tij nga grabitës të armatosur.

Sipas informacioneve të para, dy grabitës të maskuar dhe me armë zjarri kanë ndërhyrë në argjendarinë e pronarit të argjendarisë “Cirkon 2”, që gjendet në qendrën tregtare “Bunjakovec”. Siç raporton Ina, ata nën kërcënimin e armëve kanë urdhëruar pronarin që t’ua japë stolitë e arit, mirëpo rezistenca e pronarit ka bërë që ai të goditet me një plumb.

Pronari i argjendarisë është plagosur në këmbë dhe se ai më pas është shtruar për shërim në Klinikën e Shkupit. Grabitësit kanë ikur në drejtim të panjohur dhe nuk jepen hollësi për sasinë e stolive të grabitura.

Qytetarët dhe kalimtarët pranë kësaj lagjeje në Shkup kanë theksuar se kanë qenë të shqetësuar nga krismat e armës.