Gomez: Guardiola më këshilloj të zgjidhja Fiorentinën

gomez

Goditja e madhe e presidentit Della Valle në merkato, Mario Gomez, ngriti peshë Firencen. Tifozët vjollcë pushtuan “Artemio Franchi” për prezantimin e sulmuesit që do të udhëheqë repartin e avancuar të Fiorentinës. Dhe gjermano-spanjolli përpiqet që në fillim të jetë simpatik për tifozët e tij të rinj duke përgatitur një përshëndetje të thjeshtë në italisht, përpara se t’i rikthehet gjermanishtes:

“Jam shumë I lumtur që jam Fiorentina. Do të përpiqem të mësoj sa më shpejt italisht në mënyrë që ta kem më të thjeshtë dhe me intervistat. Që nga Gjermania e kam ndjerë entuziasmin që ekziston në Itali kur flitet për futbollin. Kur e kuptova që kishte ardhur momenti për të lënë Gjermaninë, alternativat ishin ose Spanja ose Italia. Zgjodha Firencen edhe për pasionin e energjinë e tifozëve”.

Gomez në intervistën e tij të parë si fiorentin zbuloi se Guardiola e kishte këshilluar që të zgjidhte pikërsisht Fiorentinën: “Pasi fitova gjithcka me Bayernin jam kurioz të përjetoj një sfidë të re në karrierën time. Dhe Guardiola më këshilloi të zgjidhja këtë skuadër sepse luan një futboll të përshtatshëm për mua. Qyteti juaj është fantastik dhe ka pasur jo pak peshë në zgjedhjen time, por për mua ajo që ka më shumë rëndësi gjithsesi është fusha e lojës. Te Bayerni nuk më mungonte asgjë por unë dua të luaj dhe këtu mund ta bëj me vazhdimësi. Është ëndrra ime të fitoj diçka në Itali dhe pse nuk kam vendosur një objektiv përsa i përket golave. A kam folur me Tonin? Jo, vetëm me Guardiolën dhe ai më foli me superlativa për Montellën”.