Gjermania “zbrazet” nga emigrantët! Shqiptarët po largohen vullnetarisht (SHIFRAT)

Rreth 55 mijë emigrantë të cilëve i është refuzuar azili, kanë lënë vullnetarisht Gjermaninë përgjatë janarit dhe nëntorit të vitit 2016, nga 20 mijë që ishte numri i përgjithshëm i largimeve vullnetare në vitin 2015.
Gazeta gjermane “Sueddeutsche Zeitung” citon të dhënat e qeverisë, për të shfaqur numrin e të kthyerve në atdhe në 11 muajt e parë të vitit 2016.

Vendin e parë të personave që janë larguar vullnetarisht, e mbajnë shqiptarët, më tej serbët, Iraku, Kosova, Afganistani dhe Irani. Duke u kthyer vullnetarisht ata shmangin deportimin e dhunshëm dhe ndalimin e përhershëm për hyrje në Gjermani. Por mbi të gjitha, ata paguhen nga shteti gjerman deri në 3 mijë euro, për shpenzimet e kthimit, si bileta e udhëtimit etj.

Zyrtarët gjermanë të sigurisë janë shprehur më herët për Reuters se numri i personave që janë deportuar pasi i janë refuzuar kërkesat për azil shkoi në pothuajse 23.800 nga Janari në Nëntor, nga 20.900 që ishte në vitin 2015.

Po ashtu ka pasur rritje të numrit të refugjatëve që janë larguar në kufi. Sipas të dhënave, policia ka kthyer pas 19.720 refugjatë në 11 muajt e parë, (në 2015-ën numri ka qenë 8.913). Shumica e të kthyerve në kufi, ishin nga Afganistani, Siria, Iraku dhe Nigeria. Ata janë regjistruar në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Gjermania ka ashpërsuar ligjet mbi emigracionin në muajt e fundit, nxitur nga shqetësimet rreth sigurisë dhe integrimit pas pranimit të më shumë se 1.1 milionë emigrantëve nga Lindja e Mesme, Afrika etj, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, që në fillim të vitit 2015.

Javën e kaluar, një azilkërkues i cili ishte betuar për besnikëri nda grupit militant të Shtetit Islamik ISIS vrau 12 persona, duke i përplasur me kamion në tregun e Krishtlindjeve në Berlin. Ngjarja nxiti kritikat në rritje ndaj kancelares Angela Merkel dhe politikës që ajo po ndjek ndaj emigracionit.