Gjashtë shprehi që na sjellin më shumë dëm se dobi

0Edhe pse mendojmë se me disa veprime tonat ndikojmë pozitivisht në shëndetin tonë, ndonjëherë më shumë bëjmë dëm sesa dobi.

1. Përdorimi kompulsiv i dezinfektuesve të duarve

Nëse e përdorni shpesh xhelin praktik për dezinfektimin e duarve, ndoshta do të duhej ta bëni një pushim të vogël. Përveç nëse punoni në spital apo diku tjetër, për duart e pastra mjafton vetëm uji dhe sapuni. Nëse, megjithatë, në mungesë të ujit dhe sapunit e përdorni xhelin për dezinfektim, sigurohuni që në mesin e përbërësve të tij të mos jetë edhe triklozani, i cili mund ta shkaktojë rezistencën bakteriale dhe virusale ndaj antibiotikëve.

2. Larja e dhëmbëve pas çdo shujte

Edhe pse larja e dhëmbëve tuaj menjëherë pasi të hani diçka ju duket si një ide e shkëlqyeshme, ndoshta më mirë është të prisni me këtë. Pjesëzat e ushqimit mund të lënë pas vetes acide të cilat e dobësojnë smaltin e dhëmbëve ndërsa pastrimi i dhëmbëve me furçë ndërkohë që smalti është në gjendje të dobësuar mund ta dëmtojë atë shumë lehtë. Kjo është arsyeja se pse pas ushqimit gjatë ditës ndoshta më mirë është ta shpëlani gojën me ujin për shpëlarje, ndërsa larjen e dhëmbëve ta praktikoni në mëngjes dhe në mbrëmje.

3. Kapërcimi i shujtës për të lënë vend për më vonë

Njerëzit shpesh i shmangin shujtat që më vonë të mund të “mbushen”. Shumë njerëz mendojnë se shpërndarja e shujtave nuk ka rëndësi nëse kaloritë shpërndahen si duhet. Megjithatë, tek njerëzit që e shmangin mëngjesin paraqitet nevoja për ëmbëlsira, ushqime të njelmëta apo diçka tjetër. Prandaj është më mirë që gjatë ditës të hamë shujta të mbushura me proteina ashtu që në mbrëmje, para se të flemë, të mos hamë shumë.

4. Pirja vetëm e ujit të ambalazhuar

Shumë njerëz sot pinë vetëm ujë të ambalazhuar, por e vërteta është se në ujë të tillë nuk ka shumë fluor, ndërsa mungesa e këtij elementi shkakton prishjen e dhëmbëve. Prandaj, rekomandohet konsumi i ujit nga rubineti, sidomos tek ne ku uji në shumicën e vendeve është i pijshëm dhe i shëndetshëm.

5. Përqendrimi në ushtrimet kardio

Edhe pse ushtrimet kardio janë më efektive për të humbur peshë, ato gjithsesi duhet të kombinohen me ushtrime të tjera që trupi të mos mësohet me të njëjtën regjim. Prandaj, ekspertët rekomandojnë që kardio-ushtrimet ndonjëherë “të gërshetohen” me ushtrime rrethore në të cilat do të jeni të përqendruar në ushtrimet e forcës. Kështu do t’i shpenzoni kaloritë në mënyrë më efektive.

6. Përdorimi i tepërt i suplementeve ushqyese

Më shumë nuk do të thotë domosdo edhe më mirë, sidomos kur bëhet fjalë për vitaminat dhe mineralet. Njerëzit shpesh marrin vetë suplemente, pa e ditur nëse kanë nevojë në fakt për to, ndërsa konsumi i tepërt i tyre mund të lërë pasoja shumë serioze. Për shembull, sasitë e mëdha të vitaminës A mund ta dëmtojnë fetusin tek gratë shtatzëna, përdorimi i tepruar i vitaminës C mund të shkaktojë probleme me sistemin e tretjes, ndërsa përdorimi i tepërt i vitaminës B6 shkakton dëmtime të nervave.