Gaza, 1000 viktima në 19 ditë

Të vdekurit në Gaza e kanë kaluar numrin 1000, 19 ditë pasi Izraeli nisi ofensivën kundër militantëve të Hamasit, bëjnë të ditur burimet mjekësore palestineze.
Shifra publikohet, teksa është në fuqi një armëpushim 12-orësh, gjatë të cilit banorët e Gazës kanë mbledhur furnizimet jetike dhe kanë nxjerrë trupat e të afërmve nga gërmadhat.
Një zëdhënës ushtarak izraelit ka bërë të ditur se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka rënë dakord për të zgjatur armëpushimin me 4 orë, që shkon kështu deri në mesnatë me orën lokale.
Autoritetet në Gaza deklarojnë se mbi 100 trupa janë nxjerrë nga rrënojat e ndërtesave të bombarduara gjatë uljes së armëve, që nisi në orën 08:00 me orën lokale. Ndërkohë, rreth 5.870 palestinezë të tjerë kanë mbetur të plagosur nga luftimet.
Të paktën 42 izraelitë janë vrarë që nga nisja e konfliktit më 8 korrik. Forcat Mbrojtëse të Izraelit deklarojnë se tre ushtarë mbetën të vrarë gjatë luftimeve në orët e natës, duke e çuar numrin e ushtarakëve të vrarë në 40, të cilëve u bashkohen edhe dy civilë.
Ushtria izraelite ka deklaruar se do të vazhdojë të “lokalizojë dhe neutralizojë” tunelet e Hamasit gjatë armëpushimit.