Gashi: U sakrifikova për UP-në

Ish rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, për herë të parë që prej kur është dorëhequr nga detyra e tij, është rrëfyer në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga. Ai ka thënë se është sakrifikuar për institucionin e UP – së.
“U sakrifikova për institucionin. Dorëheqja ime ishte më shumë morale. Në botën e sotme, sidomos virtuale ka shumë revista që cilësia e tyre lë për të dëshiruar. Unë kam qenë bashkautor në një punim. Mora vesh një vit pasi ishte botuar ai punim. Këtu ndihmoi shumë edhe propaganda ndaj Universitetit. Unë nuk do të botoja po ta dija që revista ishte e atillë, sepse nuk kisha pse ta publikoja”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se po bën një detyrë duke mbledhur gjithë punën e tij për t’ia dërguar një komisioni hetimor, duke thënë se nuk e dinë se pse po hesht kjo punë sot, ku sipas tij edhe në menaxhmentin e sotëm të UP – së ka profesorë që kanë publikuar në revista të tilla.

“Unë kam rreth 17 publikime ndërkombëtare dhe 6 libra të botuara. Ishte thjeshtë kërkesa e një grupi profesorësh. Asnjë herë nuk është kontestuar cilësia e punimit por cilësia e revistës. Në atë revistë kanë publikuar plot akademikë. Nuk e di pse u hesht kjo punë, ka edhe sot në menaxhmentin e UP – së që kanë botuar në atë revistë”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se fillimisht dorëheqjen e tij e kërkuan disa militantë të Vetëvendosjes pastaj iu bashkëngjitën edhe shoqëria civile.