Gashi – serbëve: Mos i largoni shiritat, se ua rrënojmë objektet

Dardan Gashi, ministër në detyrë i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, thotë se ashtu siç kanë paralajmëruar inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të mbështetur nga forcat e rendit të Republikës së Kosovës, vendosën shiritët në dy objektet ilegale te Kroi i Vitakut, objekte këto të financuara nga Qeveria e Beogradit dhe pa leje ndërtimi nga organet e Republikës së Kosovës.

“Intervenimi përfundoi me sukses dhe pa asnjë incident. Ndërkohë bëjmë me dije edhe njëherë që largimi i shiritëve dhe rifillimi i punës përbën vepër penale dhe paralajmerojmë akterët se një veprim i tillë do të pasohet me rrënimin e objekteve dhe ndjekje penale”, thotë ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës respekton marrëveshjet e arritura dhe moratoriumin e negociuar dhe kërkon nga të gjitha palët të respektohet.

“Falenderojmë forcat e rendit, inspektoriatin dhe zëvendëskryeministren, znj. Edita Tahiri për mbështetjen për shtrirjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.