Galliani: Mes Balotellit, Beckham dhe Kakà ndoshta nuk do të vijë asnjëri

Celtic Glasgow Milan Champions League 2004 2005

“Tratativa për Kakà është ndërprerë”. Këto kanë qenë fjalët e Adriano Galliani. Dita e hënë nisi me “ok”-in e brazilianit për të reduktuar pagën, por përfundoi me një “dush të ftohtë”. “Probleme fiskale”, thotë administratori kuqezi. Ekspertët e financave të Realit e kanë hedhur poshtë hipotezën për huazimin 30 mujorsh, duke e parë si të paaplikueshme, ndërsa drejtuesit pranë Florentino Perez kanë shfaqur pakënaqësi për humbjen prej 27 milionë eurosh, që do të krijohej në këtë rast.

Presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez, nuk mund t’i lejojë bilancit një shifër të tillë. Mes aksionerëve të Realit është shprehur edhe pakënaqësi për dërgimin e lojtarit tek i njëjti ekip, ku 3 vite e gjysmë më parë u derdhën plot 67,5 milionë euro. Ekspertët janë shprehur kundër huazimit kaq të gjatë, prej 30 muajsh, gjë që do të ishte e barazvlefshme me shitjen e tij, pasi në atë kohë i skadon edhe kontrata.

Galliani më pas ka shtuar: “Mes Balotelli-t, Beckham dhe Kakà ndoshta nuk do të vijë asnjëri. Morali më ka rënë, por shpresojmë që kjo ditë e keqe të përmirësohet në të ardhmen. Nëse ndodh diçka e re? Ku i dihet…”. Nga ana tjetër, agjenti i Mario Balotelli-t, Mino Raiola e largon të asistuarin e tij nga kuqezinjtë: “Nuk ka asnjë tratativë për të, me asnjë skuadër. As gjatë kësaj jave nuk do të ketë ndonjë takim. Për momentin nuk ka asnjë shans, që ai të lëvizë, por deri më 31 janar nuk i dihet…”.