Galatasaray po ecën me moto të 2008-s dhe shpirt të 2000

galata

Fitorja e vështirë e Galatasarayt në Ligën e Kampionëve kundër Schalkes 04, ka rikthyer kujtimet e Evropianit 2008 të Përfaqësueses së Turqisë, që udhëhiqej nga motoja “kurrë mos vdis”. Galatasaray në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në shtëpi, kishte luajtur 1:1, ndërsa në ndeshjen e kthimit të martën kaloi në disavantazh, por arriti të përmbyste rezultatin me dy gola të shpejtë në përfundim të pjesëlojës së parë. Gati në gjithë pjesën e dytë Galata ishte vendosur prapa dhe në fund arriti të fitonte me rezultatin 3:2, shkruan Koha Ditore.

Fitorja i siguroi Galatasarayt çerekfinalen e parë në Ligën e Kampionëve që nga viti 2001 dhe nisi të shpaguajë shpenzimet e mëdha që u bënë për të transferuar yllin holandez Wesley Sneijder dhe atë të Bregut të Fildishtë, Didier Drogba. Trajneri Fatih Terim, që po ashtu kishte drejtuar skuadrat si Fiorentina e Milan, është për herë të tretë në krye të Galatasarayt, por paraqitja e së martës i solli në kujtime ditët e tij me Përfaqësuesen e Turqisë, veçanërisht gjatë Evropianin 2008. Turqia pasi kishte humbur ndeshjen e parë të grupit, arriti të kthehej nga disavantazhi dhe të mposhtë Zvicrën me rezultatin 2:1. Më pas në ndeshjen tjetër, ishte në disavanazh prej dy golave, por arriti të shënonte tre gola në 15 minutat e fundit të takimit për të triumfuar me rezultatin 3:2.

Edhe më dramatike ishte fitorja në çerekfinale kundër Kroacisë, kur Turqia kaloi në disavantazh në minutën e 29-të të shtesave, por barazoi menjëherë, e më pas triumfoi pas penalltive. Galatasaray në ndeshjen e së martës u fut pas një humbjeje shokuese në fundjavë që pësoi nga Gençlerbirligi me rezultatin 1:0. Në atë ndeshje Drogba kishte humbur një penallti, ndërsa sulmuesi Burak Yilmas kishte humbur një rast me portë të zbrazët nga gjashtë metra. Mirëpo, paraqitja e së martës ishte krejt ndryshe, ku Terim aktivizoi një skuadër ofensive me Drogban, Yilmazin, si dhe me Sneijderin më të tërhequr. Yilmaz shënoi golin e dytë të takimit. Me tetë gola, Yilmaz ndan pozitën e parë në listën e shënuesve më të mirë të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve me Cristiano Ronaldon e Real Madridit. “Ne luajtëm si një skuadër fenomenale në pjesën e parë. Lojtarët luftuan në fushë”, ka thënë Terim.

Edhe pse nuk shënoi, Drogba, me prezencën e tij fizike, ishte inspirues në këtë fitore, derisa Sneijderi ende po ka vështirësi të gjejë formën më të mirë. Në mesfushë, Felipe Melo, figura tragjike e kampanjës së Brazilit në Botërorin 2010, i cili ishte përjashtuar me karton të kuq në çerekfinale ndaj Holandës, fitoi më tepër duele se çdo lojtar tjetër. Ai po e kontrollon agresionin e tij, ndërsa bëri vetëm tri ndërhyrje të palejueshme. Për lojtarët e Galatasarayt pati një pritje madhështore në Stamboll, ndërsa kryeministri i Turqisë, Tayyip Erdogan, i telefonoi Terimin për t’ia uruar fitoren. “Shpirti i 2000-s”, kishte shkruar gazeta “Aksam”, duke iu referuar triumfit të Galatasarayt në Kupën e UEFA-s të vitit 2000, kur kjo skuadër mposhti në finale Arsenalin.