Fterra e bukur në behar

Beatriçja e bukur ishte një figurë femërore, imagjinare, me bukuri hyjnore, së cilës Dantja i këndoi, me të gjithë fuqinë e shpirtit poetik, gjatë gjithë jetës së tij. Kurse Fterra e bukur është një figurë panoramike reale, së cilës unë i kam kënduar me dashuri të madhe, megjithëse e kisha parë dy herë në moshë fare të re. Dhe më kishte befasuar, aq sa në atë kohë isha dashuruar marrëzisht me pamjen e saj.

Fterra e bukur në behar

Vullnet Mato

Rizgjimin e dashurisë së parë, pas pesëdhjetë vjetëve, ma provokuan vëllezërit Xhama, të cilët më joshën me “Parlamentin e Fterrës te taverna e hotel Dajtit” dhe pak nga pak m”u mbush gjoksi me ndjesi të fuqishme për vendin ku ishin pleksur rrënjët e prejardhjes sime dhe ku flinin varret e të parëve të mi. Këto ngasje të forta më bënë të shkruaj poemën “Nënëmadhe Fterra” dhe u pasuan nga shumë krijime të tjera poetike e publicistike.

Dhe ja, një ditë të bardhë të korrikut 2009, me freskinë e krijuar pas shiut që përmbyti Tiranën, unë dashnori romantik i kësaj bukurie malore të veshur me petkun e gjelbërimit të përjetshëm, arrita në Fterrë. Nxitësi kryesor u bë qytetari i madh Profit Zani, i cili erdhi e më mori me fugonin e tij, teksa isha duke pushuar në Sarandë. Dhe një arsye më shumë, ishte vdekja e një bashkëfshatarit tonë, me bijtë e të cilit isha miqësuar në internet.

Sapo zbrita te burimi i Ixorit, ndjeva se madhështia e fasadës së “Shkëmbit të Kuq” që ngrihej përballë, me ngurosi në vend dhe bashkë me rrjedhjen e fuqishme të ujërave kristalore, më gurgulloi edhe mua nëpër damarë një vërshim gjaku i pazakonshëm, që më rrëqethi trupin nga emocionet. Shkova, padashur, e piva ujë te njëri nga sylinjarët e trashë, ndonëse nuk kisha etje. Atëherë temperatura e ftohtë e këtij burimi më solli në vete dhe bëra një fotografi.

I pari fterriot që përqafova, ishte Sherif Lona, fytyrëmprehtë e buzagaz, që u ndodh aty pranë. Pastaj bashkë me Hasan Mehmetin, shoqërues qysh nga Borshi, u ngjitëm te klubi i Profitit. Aty, mes luleve shumëngjyrëshe të oborrit dhe buzëqeshjeve mikpritëse të gruas së tij, Natashës, nuk di pse m”u kujtua Tolstoi mes trëndafilave në Jasnaja Poljana, ku ai u frymëzua për të shkruar kryeveprat e tij.

U shtrua menjëherë tryeza e drekës me raki rrushi, birrë “Moreti” mish keci të pjekur dhe kuleçë djathi të butë prej dhie. Një meny të tillë do të na e kishin zili të gjithë ata që preferojnë ushqimet “Bio”. Urime. Përgëzime. Dhe gaz i paprerë mes lulëzimit të mbuluar nga tenda madhështore e hardhive, derisa mora kamerën për të filmuar të zotët e shtëpisë. Fillova incizimin zanor duke improvizuar vargjet e çastit: “Nënëmadhe Fterra, më kish marrë malli dhe u nisa erdha këto ditë behari. Takova Profitin me Natasha Zanin dhe ngritëm dolli me raki kazani. Po kujtuam Lidën që është jashtë vatanit dhe u mallëngjyem me ngashërime xhani, dhe na pikoj loti sa kokrra e manit.” Qau Natasha e para, qau Profiti, qau i biri Besmiri dhe më pas m”u mbushën sytë me lot edhe mua, vjershëtorit të prekur keqas nga kjo mbindjeshmëri përmalluese e këtyre njerëzve të mirë.

Pashë të gjithë librat e mi në bibliotekën shembullore të Profitit dhe pastaj shkuam të ngushëllojmë familjen e të ndjerit. Takova aty bijtë e tij dhe njëherësh miqtë e mi të internetit, Mirelën dhe Ledin, që kishin ardhur me urgjencë nga Greqia. Morti u kthye padashur në mikpritje dhe rinjohje, ku shumë nga të pranishmit më pohuan se binim kushërinj. U thashë, kjo ndodh sepse ne fterriotët kemi endur një qilim njerëzor me fije shumëngjyrëshe, të pleksura përjetësisht me njëra – tjetrën. Dhe pasi e mbylla ngushëllimin tim, u nisa me fugon për në vendin e quajtur Pirg, bashkë me një grup të madh kushërinjsh dhe fansash të letërsisë.

Rreth-e-qark male të blertë dhe lartësi blu që preknin qiellin. Përballë, në fund të luginës së thellë, dukej deti dhe siluetat e antenave të larta të Korfuzit. Natasha nxori celularin dhe foli me Lidën e saj në Greqi. Pastaj Mirela Maçi i tha Lidës, e cila kishte lexuar edhe dy romanet e mi të fundit, të dërguar prej Feksor Shkurtit nga Tirana, “E merr dot me mend, Lida, se cilin kam pranë këtu në qafën e Pirgut?… zotin Vullnet Mato.” Në membranën fonike të celularit u dëgjua klithma e habisë dhe kërkesa e saj për të folur me mua. Unë i thashë, nga ajo lartësi e bukur malesh, ” Dëgjo Lida, yt at dhe jot ëmë më kanë bërë pritjen më madhështore që më është bërë ndonjëherë në jetën time dhe bashkë me ta kam qarë edhe unë nga keqardhja që ti je larg e nuk vjen dot në Fterrë për shkak të dokumenteve.” Dëgjova ngashërimin prekës të Lidës dhe mora frymë thellë për ta shuar dhimbshurinë brenda vetes.

Përqark kodrinës ndjehej era e këndshme e rigonit. Këputa një fije dhe i mora erë. Papritmas skuadra e madhe me gra, vajza dhe fëmijë u lëshuan nëpër shkurre dhe mblodhën një tufë të madhe që ta merrja me vete. Kjo përkujdesje e habitshme, më bëri të ndjehem aty si midis motrave dhe vëllezërve që më ndiqnin duke më vështruar në kokërr të syrit. Pastaj uji i bollshëm, i zbuluar rastësisht vitet e fundit në Gurrëz, më tërhoqi vëmendjen, derisa u kthyem sërish për të fotografuar shtëpinë shekullore të gjyshit tim, Xhaferr Matos, te kreu i Bregut të Lleshit.

Te oborri i lulëzuar i Profitit dëgjova befas një zë burri prapa krahëve, që tha: “E di qeveria se në Fterrë ka ardhur Vullnet Matua?” Ktheva kryet vrulltas dhe pashë me sy të ndriçuar nga habia, inxhinierin e mrekullueshëm Binjo Zhupa, të ardhur prej ditësh nga Tirana për të kaluar verën e nxehtë në këtë fshat të freskët, ku netëve flihet me batanije. Pas përqafimeve të çastit, Binjua nxori një qeskë plastmasi plot me meze mishi dhe një shishe rakie. U shtrua sërish tryeza e darkës me dy palë mezesh dhe dy palë pijesh. Gaz. Hare. Biseda të përzemërta miqsh dhe kujtime të shumta, derisa arritëm te gëzimi i fshatarëve feterriotë për montimin gjatë asaj dite të antenës së celularit AMC.. Trazime shpirtërore të pazakonshme deri në mesnatë. Ata njerëz të thjeshtë, por me zemra të mëdha, që më kishin rrethuar me dashuri të shumëfishtë, u ngritën atë natë në sytë e mi më lart se shkëmbinjtë hijerëndë që kishim përballë. Profitit, pasionant për librat dhe shkrimtarët, nuk i qeshte vetëm buza, por i gëzonte shpirti dhe gjithë qenia. Ai njeri tejet përparimtar kishte krijuar të gjitha kushtet që mundëson koha e sotme, për të qenë një qytetar me banim në fshat. Që nga ato teknike, motorike, elektrike, e deri te parabolat televizive dhe antenat e për t”u lidhur me të gjitha rrjetet e telefonisë celulare. Ndonëse dy ditë në Muaj kishte radhën për të kullotur dhitë e lagjes.

Në mëngjes hodha sytë te rrapi i madh i Izorit dhe teksa vura re fenomenin e çuditshëm të tharjes së tij nga një sëmundje drusore e panjohur, më erdhën vetvetiu vargjet, “Te Ixori për çudi u zverdh rrapi në pleqëri / Rrapi i Fterrës është tani, Profit Zani me degët e tij / Ka një grua mrekulli, ka një djalë si flori / ka një vajzë gjithë mençuri, miq e shokë në gjithë Shqipëri./ Këtë rrap plot energji unë e pashë me sytë e mi.”

Dhe fjalët e fundit që më gufuan nga gjoksi në përdredhimet rrugore të ikjes pranë zallit ishin: Mirupafshim më 15 gusht, ditën e festës tënde të përvitshme, o Fterrë e dashur!